Ekonomi

Shkojnë në Kuvend për votim, dy kandidatët për Guvernator

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, i ka dhënë dritën e gjelbër dërgimit për votim në Kuvend të dy kandidatëve për Guvernator të BQK-së, Ahmet Ismaili dhe Lulzim Ismajli.

Komisioni miratoi edhe rekomandimin për dërgimin në Kuvendin e Kosovës, të pesë emrave për anëtarë të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale. Emrat e proceduar në Kuvend janë Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Trim Shala dhe Cyril Demaria Bengochea.

Në këtë mbledhje, komisioni miratoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimat e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172.

Po ashtu, komisioni miratoi raportet me amandamente të  komisioneve funksionale për këto projektligje: Projektligjin për pronën Publike;  Projektligjin për Prokurorinë Speciale; Projektligjin  për ndryshimin dhe plotësimin  e Kodit të Procedurës Penale; Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Projektligjin për Sistemin Qendrore të Evidencës Penale të Kosovës, si dhe Projektligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale. Ndërsa, raporti me amandamente për Projektligjin për Verëra nuk pati mbështetjen e komisionit.

Më pas, komisioni shqyrtoi dhe miratoi kërkesën e Radio Televizionit të Kosovës për ndarjen e mjeteve  buxhetore për periudhën  korrik-shtator 2023, të cilën e prezantoi kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Megjithatë, propozimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin nga pozita të anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi, nuk kaloi, pasi nuk pati vota të mjaftueshme.

/Shqip.com