Teknologji Shkencë

Shkencëtarët: Ngrohja globale, nxehtësia në oqeane ka thyer rekord në 2022

Për të katërtin vit radhazi oqeanet në mbarë botën janë më të ngrohta se viti paraardhës, ku shkak është kriza klimaterike e shkaktuar nga njerëzit që pompojnë gazrat që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë.

Studimi i një ekipi shkencëtarësh zbuloi se pesë vitet më të nxehta për oqeanet kanë ndodhur të gjitha në gjashtë vitet e fundit dhe se shpejtësia me të cilën po ngrohen oqeanet po bëhet gjithnjë e më e shpejtë.

Studimi ka shqyrtuar temperaturat nga sipërfaqja e oqeanit deri në 2,000 metra thellësi dhe rezultatet janë shqetësuese.

“Gjendja e oqeaneve tona mund të masë shëndetin e botës dhe duke gjykuar nga vëzhgimet e përditësuara të oqeanit … ne kemi nevojë për ndihmë”, kanë deklaruar shkencëtarët, raporton CNN.

Për sa i përket energjisë, sasia e nxehtësisë e shtuar në oqeane në vitin 2022 është e barabartë me 100 herë më shumë se gjenerimi total global i energjisë elektrike vitin e kaluar.

Oqeanet shërbejnë si një tregues i mirë i ndikimit real të ndryshimeve klimatike, sepse krahasuar me temperaturat e ajrit, ato ndikohen më pak nga ndryshimet sezonale dhe ciklet e motit të përditshëm. Duke mbuluar pothuajse tre të katërtat e sipërfaqes së Tokës, oqeanet thithin shumicën dërrmuese të nxehtësisë së botës. Që nga viti 1970, më shumë se 90 % e nxehtësisë së tepërt të planetit ka shkuar në oqeane.

Shkencëtarët janë shprehur se tendenca e ngrohjes afatgjatë globale është tani aq e qëndrueshme dhe e fuqishme sa që rekordet vjetore vazhdojnë të vendosen çdo vit.

/Shqip.com