Sport Ndërkombëtar

Shkarkimet te Milan, reagon Ancelotti

Shkarkimi i Paulo Maldinit nga Milani dhe komunikata e thatë e klubit ka lënë të zhgënjyer jo vetëm tifozët, por dhe trajnerin e Realit, Carlo Ancelotti, që ka një të kaluar shumë pozitive te kuqezinjtë.

“Unë në Madrid kam mësuar se historia e një klubi duhet respektuar gjithnjë. Për të ndërtuar një ekip në nivele të larta duhet ruajtur memoria, e kaluara e klubit. Ajo që ndodhi me Maldinin tregon qartë mungesën e një kulture sportive, mungesën e respektit ndaj traditës milaniste. Është e vërtetë që me historinë nuk fitohet, por historia të mëson se si të fitosh”, ka thënë Ancelotti.

“Klubet që mendojnë të bëjnë biznes larg shpirtit sportiv janë të destinuara të dështojnë”, theksoi tekniku italian duke u ndalur më pas tek e ardhmja e tij. “Jam mirë në Madrid, kam një raport të shkëlqyer me Florentino Perez, jeta këtu është magjike. Është e vështirë të gjesh diçka më të mirë se Reali”, deklaroi Ancelotti.

/Shqip.com