Lajme

Shkalla e papunësisë në Kosovë: Moshat 15-24 vjeçare të papunësuar – më të prekurat gratë

Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e dytë të vitit 2021.

Sipas rezultateve të anketës, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune.

Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 37.7%. 

Shkalla e punësimit sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tre mujorin e dytë për vitin 2021 ishte 30.0%.

Punësimi me i lartë ishte te meshkujt me 44.0%, ndërsa punësimi te femrat ishte 16.0%.

Femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.7% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 43.6%.

Ilustrim

Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 18.1%;  ndërtimtaria me 11.4%; arsimi me 11.3%; dhe prodhimi me 9.6%.

Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me për qindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 40.8% e personave të punësuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 59.2% kishin kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2021, shkalla e papunësisë është 20.5%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 22.1%, krahasuar me meshkujt, 19.9%.

Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 38.9%.

Sipas rezultateve, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 62.3%, me fokus të veçantë te femrat me 79.4%, krahasuar me meshkujt, 45.1%./Shqip.com