Lajme Sipas raportimeve të Policisë së Kosovës parat më të falsifikuara janë 2 dhe 100 euro.

Shitën 100 euro false për 20 dhe 25 euro, ngritët aktakuzë ndaj dy personave

Falsifikimi i parave

Kosova po përballet muajt e fundit me raste të shpeshta të falsifikimit të parave.

Si rrjedhojë, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka arritur të identifikoj dy të dyshuar për kryerjen e veprës penale “falsifikim i parasë”, për çka ka ngritur aktakuzë ndaj tyre.

Të njëjtit, dyshohet se me qëllim të përfitimit kanë shitur 100 euro false në vlerë të 20 dhe 25 euro.

“Prokuroria njofton se, i pandehuri A.B., me datë të pacaktuar e deri më 23 mars 2022, në Gjakovë, vë në qarkullim parat e falsifikuara duke e ditur se janë të falsifikuara me qëllim për ti vënë vetës apo tjetrit përfitim të kundërligjshëm pasuror, duke shitë me çmim më të lirë monedha nga 100 Euro në shumë të pa përcaktuara tek personi K. N. Pas njoftimit të policisë me rastin dhe ndërmarrjes së menjëhershme të veprimeve, rezulton se i pandehuri i ka shitur personit/të pandehurit K. N., tetëmbëdhjetë (18) monedha nga 100 Euro të falsifikuara me çmim prej 20 Euro për copë e që më pas ky blerës i ka shitë këto monedha tek i mituri F.G. në shumë prej 25 Euro duke vazhduar kështu shitja tek blerësit e tjerë të mitur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të njëjtëve u janë sekuestruar paratë.

“Nga patrullimet e kryera policore, të pandehurit A. B., i janë gjetur monedha të falsifikuar dhe para origjinale, të cilat i janë sekuestruar për shkak të përfitimit nga paratë e falsifikuara, vënies së tyre në qarkullim për të vërteta, transportimit, për dorjes dhe shitjes së tyre, edhe pse në dijeni se një veprim i tillë është i kundërligjshëm”.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që të pandehurit A.B., dhe K.N., të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.

Rastet më të shpeshta të falsifikimit të parave janë për shumat 2 euro dhe 100 euro./SHQIP.com