Lajme

Shfuqizohen vendimet e drejtorit të AAC-së për heqjen e kredencialeve të disa inspektorëve

Autoriteti i Aviacionit Civil

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për shërbimin Civil ka shfuqizuar tre vendime të drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civili, Bujar Ejupi.

Përmes një njoftimi nga Sindikata e Punëtorëve të AAC-së thuhet se Ejupi kundërligjshëm kishte vendosur që të bëjë tërheqjen e kredencialeve të disa inspektorëve.

“Përmes Vendimit të dt. 16.09.2022, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil ka shfuqizuar tre vendime të Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së z. Bujar Ejupi, përmes të cilëve ky i fundit kundërligjshëm kishte vendosur për tërheqjen e kredencialeve të disa inspektorëve të AAC-së”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sipas kësaj sindikate, KPMSHCK-ja ka konstatuar se vendimi ishte në kundërshtim me ligjin.

“KPMSHCK ka konstatuar se “vendimi është i paligjshëm pasi është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e ligjit material, ligjit për procedurën e përgjithshme administrative dhe aktet e brendshme normative që përcaktojnë kushtet dhe kriteret për dhënien dhe mbajtjen e kredencialeve të inspektorit në AAC”. “Kolegji i Këshillit ka gjetur se arsyetimi është dukshëm i pamjaftueshëm, i paqartë, kundërthënës apo i pakuptueshëm dhe është i barabartë me mungesën e tij”.

Tutje, thuhet se njërës nga tre inspektorët ju ishin hequr kredencialet të cilat i mbante që nga viti 2007 kurse, inspektori i dytë ishte i vetmi në rregullimin ekonomik të aviacionit dhe i fundit profesionist në operimin me helikopterët.

Sindikata e Punëtorëve të ACC-së, vendimet e Ejupit i ka quajtur të ndikuara nga inatet personale

Përmes një vendimi hakmarrës z. Ejupi ua kishte tërhequr kredencialet 3 inspektorëve në AAC. Njëra inspektore mbante kredencialet nga viti 2007 në AAC, njëherit është inspektorja e parë femër në fushën e aviacionit në Kosovë, ndërsa tjetri ishte inspektori i vetëm i rregullimit ekonomik të aviacionit në Republikën e Kosovës dhe njëherit udhëheqës i SPAAC.

Inspektori i tretë është profesionist me përvojë disa dekada në operimet me helikopter. Përmes këtyre vendimeve z. Ejupi ka dëshmuar se është i gatshëm të degradojë kapacitetet mbikëqyrëse të aviacionit në Republikën e Kosovës të ndërtuara me vite në AAC, për shkak të inateve të tij personale.

“Procesi i përgatitjes së inspektorëve, që janë staf kyç në AAC, merr disa vite përgatitje e cila është shumë e kushtueshme për institucionin. Lehtësia me të cilën Ejupi ka vendosur t’i degradojë këta inspektorë dëshmon qëllimet e tij karshi AAC-së”.

Ndërsa, SPACC bëri thirrje ndaj institucioneve që të kthehet normaliteti në AAC para se të vijë degradimi i tij si institucion i rëndësisë së veçantë./Shqip.com