Lajme Na pengojnë që e bllokojnë rrugën por edhe për këta duhet gjetur një zgjidhje.Duhet të gjindet një vend më i përshtatshëm” – thotë një qytetarë që i pengojnë kisoqet e vendosura në njërin prej shesheve të Prishtinës

Sheshet e Prishtinës shndërrohen në arenë tregu, qytetarëve ju shkakton bezdi, Komuna nuk ka plan t’i largoj

Sheshi "Zahir Pajaziti" Prishtinë

Me të hyrë në sheshet e kryeqytetit, syri të zë shitës të shumtë.

E zërat e tyre të përshkojnë gjatë tërë rrugës.

Kjo po u krijon bezdi qytetarëve, të cilët thonë se po u japin pamje jo të mirë shesheve.

 “Nuk është në rregull sipas meje, ndoshta mu nuk më pengojnë sepse nuk jetojë në këtë pjesë të Prishtinës por qytetarët që jetojnë këtu besoj që po. Për zgjidhjet e këtij problemi duhet me mendu Komuna dhe kryetari i Komunës” ka thënë ajo.

“Na pengojnë që e bllokojnë rrugën por edhe për këta duhet gjetur një zgjidhje. Duhet të gjendet një vend ma i përshtatshëm”, ka thënë ajo.

Përveç që ka qytetarë që ju pengon prania e tyre, ka nga ata që mendojnë ndryshe.

“Mu normalisht që nuk më pengojnë. Unë mendoj që nëse ka ndonjë lokacion alternativ ata duhet të vendosen aty, por edhe kështu mu nuk më pengon” ka thënë një qytetar nga Prishtina.

Sheshi “Zahir Pajaziti”

 “Jo mu nuk më pengon aspak, Kjo është mirë për kulturën shqiptare, këtu po shesin artizanate e kjo është shumë mirë. Sa i përket lokacionit nuk e di por njerëzve me gjëra nga tradita shqiptarë nuk ka ma mirë. Edhe në vendin tim ku jetojë ka këso kiosçe por janë të rregulluara më mirë” ka thënë një qytetar që ka ardhur për pushime në Kosovë.

Komuna e Prishtinës nuk parasheh t’i largoj ata.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Florian Dushi, thotë se janë duke hartuar një plan që parasheh riorganizimin e tyre.

“Sheshin e Prishtinës që nga fillimi jemi duke e përcjellur me një ekip të veçantë të inspektorëve. Ne jemi duke e hartuar një plan që do të përfshijë të gjitha sheshet e Prishtinës, që ndërlidhet edhe me pikat ku ata do të vendosen në harmoni me imazhin e sheshit. Ata do të aplikojnë e nëse i plotësojnë kushtet do të pajisen me lejen nga drejtoritë përkatëse”, ka thënë Dushi.

Megjithatë, kryeqyteti përballet edhe me praninë e madhe të shitësve ilegal.

Për këtë, në vazhdimësi komuna ndërmerr aksione për largimin e tyre./Shqip.com