Shërbimi Korrektues njofton për masat e reja anti-COVID në burgjet e Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar për masat e reja anti-COVID që do të aplikohen në institucionet korrektuese nga 31 gushti i vitit 2021 deri më 15 shtator të vitit 2021, transmeton Shqip.com.
Masat e reja përfshijnë ndalimin e vizitave familjare për të burgosurit, ndalimin e kalimit të vikendeve në shtëpi për të dënuarit, ndalimin e punës jashtë institucioneve korrektuese dhe do të lejohet komunikimi i të burgosurve nëpërmjet Skype-it me familjarët e tyre, sipas rutinës së përcaktuar nga institucionet.
Lejohet numër i shtuar i thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe, ndërsa kufizohet transferimi i të burgosurve në vetëm rastet e domosdoshme.
“Përjashtim nga ky urdhër janë, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe organizatat që bëjnë monitorimin e të drejtave të njeriut, me të cilat MD /SHKK ka marrëveshje mirëkuptimi. Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet nga SHKK-ja.
Masat e reja anti-COVID në institucionet korrektuese:
Ndalimin e përkohshëm të gjitha vizitave familjare për të burgosurit në Institucionet Korrektuese;
Ndalimin e të gjitha vikendeve në shtëpi për të dënuarit;
Ndalimin e punës për të dënuarit jashtë Institucioneve Korrektuese;
Ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta;
Aplikimin e sistemit virtual të komunikimit SKYPE për të burgosur për të zhvilluar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni;
Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe;
Kufizimi i transferimeve të burgosurve (vetëm rastet e domosdoshme);
Lejimin e kontaktit të të paraburgosurve me mbrojtësit e tyre për rastet që janë në zhvillim, me masat e parapara në urdhrin paraprak;
Masat e ndërmarra me urdhrin operativ të datës 20.08.2021, të cilat nuk bien ndesh me këtë urdhër mbesin në fuqi. /Shqip.com