Lajme

Shërbimi Korrektues mohon se Dardan Krivaqa u rrah nga të burgosurit tjerë

I dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, Dardan Krivaqa

Shërbimi Korrektuesi Kosovës ka mohuar lajmin se Dardan Krivaqa, i dyshuari kryesor për vdekjen e 18-vjeçares M.O., nga Ferizaj, është rrahur fizikisht nga të burgosurit tjerë, njofton Shqip.com.

Përmes një postimi, SHKK ka bërë të ditur se ai menjëherë i është nënshtruar fazës së karantinimit ku është duke qëndruar i vetëm në dhomë dhe nuk ka asnjë kontakt me të burgosurit tjerë.

“Pas këtij shkrimi të publikuar, Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se, personi në fjalë pas pranimit në BSL menjëherë i është nënshtruar fazës së karantinimit, ku po qëndron i vetëm në dhomë dhe nuk ka asnjë kontakt me të burgosurit e tjerë”.

“Të gjithë të burgosurit trajtohen konform konventave ndërkombëtare, andaj  SHKK  bën thirrje të gjitha mediave të kontaktojnë me SHKK-në, t`i verifikojnë informacionet dhe mos të bien pre e dezinforatave të tilla, të cila kanë për qëllim zbehjen e imazhit dhe mundin e stafit të SHKK-së”, thuhet në reagimin e SHKK-së.

Dardan Krivaqa është arrestuar të martën, dy ditë pasi së bashku me të dyshuarin tjetër, A.S., e kishin dërguar pa shenja jete një 18-vjeçare në Spitalin e Ferizajt.

Ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e të resë tashmë të ndjerë, e cila ishte bashkëshortja e tij për rreth dy muaj. /Shqip.com