Lajme

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor jep disa këshilla për ata që dalin në bjeshkët e Kosovës për të ecur dhe skijuar

Fotografia ilustruese
Fotografia ilustruese

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka dal më një apel për qytetarët që duan të skijojnë këtë fundjavë apo ata që duan të ngjiten bjeshkëve, duke u bërë thirrje për kujdes shkaku i paralajmërimeve për reshje të dendura bore të përcjellura edhe me erëra të fuqishme.

Në njoftim u bëhet thirrje që pas reshjeve të borës të presin për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës. Aty janë lënë edhe numrat e kontaktit për çdo urgjencë: 112 apo +383 49 84 02 28.

Në fund, bëhet thirrje që gjatë aktiviteteve të ski-bjeshkatarisë të posedojnë pajisjet obligative për siguri.

“Këtë fundjavë sipas parashikimeve sinoptike pritet të kemi të rreshura bore në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, e sidomos në viset malore. Të reshurat do të jenë të dendura dhe të përcjellura me erëra të fuqishme veriore.

Andaj të keni kujdes gjatë skijimit (jashtë shtigjeve të rregulluara) apo ngjitjeve bjeshkatare në sipërfaqet e pjerrëta malore nga 30°~50°, e sidomos në shtigjet apo kalimet e ekspozuara. Pas reshjeve të borës pritni për 48 orë të tranzicionit të shtresave të borës. Mos skijoni/ ngjiteni të vetmuar ! Planifikoni itinerarin me kujdes dhe njoftoni të tjerët për atë ! Kujdes gjatë skijimit në pyje, gropat e drunjëve janë të rrezikshme dhe vdekjeprurëse!”, thuhet në njoftim.

/Shqip.com