Lajme

Shënohet përvjetori i pavarësisë së Kosovës në Beograd

Ardita Sinani, këshilltare e kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, e cila është pjesë e skenës politike në Luginën e Preshevës ka festuar pavarësinë e Kosovës në Beograd, një organizim i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd.

Përmes një postimi në Facebook, Sinani ka thënë se në këtë shënim ka pasur simbolika domethënëse.

Ajo ka shtuar se njohja e realitetit nga kryeqendra e Serbisë për Republikën e Kosovës, do të jetë shans për demokratizimin e Serbisë.

“Nën organizimin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, respektivisht shefi i Zyrës, SH.T. Ambasadori Jetish Jashari, pata nderin të marr pjesë në kremtimin e 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Nga të gjitha, shenimi i përvjetorit të 16 të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në Beograd ishte i veçantë. Simbolikë shumë domethënëse. Pikërisht sepse njohja e realitetit nga kryeqendra e Serbisë për Republikën e Kosovës, do të jetë shans për demokratizimin e Serbisë. Njohja e realitetit nga ana e Serbisë për Republikën e Kosovës dhe respektimi i parimit të reciprocitetit të të drejtave të pakicave në shtetet respektive, është garancë për paqe afatgjate të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Sinani, të martën.

/Shqip.com