Shend Kelmendi – përsëri hero i Gjilanit

Nuk ka fitues në derbin Gjilani – Llapi.
Ani pse u pa një lojë me shumë mundësi dhe me lojë të bukur, rezultati përfundimtar ishte 1-1.
Në këtë takim derbi, të parët shënuan vendasit – me Albert Dabiqaj.
Por, ky gol u anulua – për shkak të pozitës jashtë loje.
Llapi – realizoi kur po zhvillohej minuta e 35-të – me anë të Riveras.
Në rolin e asistuesit ishte Valmir Veliu. Ky ishte edhe epilogu i pjesës së parë.
Kur po zhvillohej minuta e 79-të, Rivera u ndëshkua me karton të kuq – duke lënë skuadrën e tij me një futbollist më pak në fushën e gjelbër.
Pas këtij momenti, gjilnasit i shtuan sulmet edhe më shumë drejtë portës së kundërshtarëve. Dhe kjo iu shpërblye – në minutat shtesë.
Ishte, Shend Kelemendi që e dërgoi topin në rrjetë për ta shpëtuar skuadrën e tij nga humbja.
Për Kelmendin – ky ishte goli i dytë – në dy takimet e fundit, teksa ka shënuar gjithsej pesë në këtë kampionat.

Me këtë barazim, Gjilani mbetet në pozitën e dytë – me 48 pikë të grumbulluara.
Kurse, Llapi është në vendin e katërt – me 41 pikë. /Shqip.com
