Lajme Botë

Shembet tuneli në Indi, 40 punëtorë mbetën të ngujuar

Një javë më parë, një tunel u shemb në Indi. Rreth 40 minatorë u bllokuan në të, ndërsa vijojnë të jenë të ngujuar. Në mënyrë që shpëtimtarët të arrijnë tek ata duhet të shpojnë rreth 60 metra.

Ditën e djeshme në vendin e aksidentit ka mbërritur një shpuese e re, pasi e vjetra është dëmtuar gjatë përpjekjes për të shpuar një kalim nëpër shkëmbinj.

Deri më tani, ata kanë arritur të shpojnë rreth 24 metra, tha Devendra Patwal, një zyrtar i menaxhimit të fatkeqësive. Ai tha gjithashtu se janë duke menduar për mënyra të reja të nxjerrjes së punëtorëve. Ndoshta ata do të përpiqen të përdorin makinën e re për të shpuar një vrimë në majë të kodrës, nën të cilën punëtorët janë bllokuar.

Deepa Gaur, një zëdhënëse e qeverisë, tha se metoda do të zgjaste më shumë sepse në atë rast ata do të duhet të gërmojnë rreth 100 metra për të arritur te punëtorët. Tuneli 4.5 kilometra i gjatë ndodhet në shtetin verior të Uttarakhand dhe është pjesë e autostradës Char Dham, një nga projektet më ambicioze të qeverisë së kryeministrit indian Narendra Modi.

Autoritetet nuk kanë thënë se çfarë e shkaktoi shembjen e tunelit, por rajoni është i prirur ndaj rrëshqitjeve të dheut, tërmeteve dhe përmbytjeve. Një pjesë e tunelit u shemb kur një grup punëtorësh po dilnin nga kantieri dhe një grup tjetër po mbërrinte.

Ekipet e shpëtimit janë në kontakt me punëtorët e bllokuar përmes radiolidhjeve. Asnjë nga personat në tunel nuk është i lënduar.

/Shqip.com