Lajme

Sheholli: Nga ShIK-u isha i ftuar si njohës i marrëdhënieve shqiptaro-serbe

Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli
Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli

Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka bërë të ditur se menjëherë pas luftës, në vitin 1999, ishte rekrutuar nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës.

Sheholli tha se në takim ishte thirrur nga Elmi Reçica e Latif Gashi, të cilët i quajti njerëzit kryesor të ShIK-ut, ku detyrë kishte që të shkonte në Beograd.

“Unë po ua them një praktik timen. Në vitin 1999, menjëherë pas luftës kam pasur ftesë prej ShIK-ut , ishte një ftesë shumë miqësore, por isha i ftuar si njohës i marrëdhënieve shqiptaro-serbe”, tha ai.

“Dhe, unë e kam pranuar me plot krenari që të bashkëpunojë për ta. Ka qenë Elmi Reçica dhe Latif Gashi, njerëzit kryesor të ShIK-ut dhe unë kam marrë detyra prej tyre që të shkojë në Beograd e të shoh për çështje të ndryshme që kishin të bëjnë në atë periudhë”, ka thënë Sheholli, raporton Klan Kosova.

Tutje, ai foli edhe për Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, e cila tha se është e shtrirë në veri, por nuk e di nëse AKI-ja është e aftë të depërtojë deri te kabineti i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“AKI-ja është e shtrirë në veri të Kosovës. Deri ku kanë mbërri dhe deri ku mund të hyjnë është çështje tjetër. E tash nuk e di se a mundet AKI-ja të depërtojë deri te kabineti i presidentit Vuçiq”, ka thënë mes tjerash Sheholli.

/Shqip.com