Kulturë

Shefqet Bylykbashi / Fragment nga Ditari në Kroaci

Shefqet Bylykbashi / Shkrimtar
Shefqet Bylykbashi / Shkrimtar

(Një plakë e shtirur, një “komandir” i çuditshëm, një “engjëll” shqipfolës dhe mbërritja në shtëpi)

Nga Sarajeva, kaluam nëpër Ivangrad dhe deri në vendin e quajtur Ribariq, nuk hasëm në asnjë pengesë.

Na kishte pushtuar shpresa se do të kalonim edhe pjesën tjetër të rrugës së ngelur, pa problem.

Dielli kishte lindur kaherë, dhe ne po dremitnim në makinën që filloi ta ngadalësonte shpejtësinë papritur. Shoferi i taksisë, një boshnjak rreth të gjashtëdhjetave nga pamja e jashtme dhe nga ajo se si fliste me ne, dukej të ishte mjaft i regjur nga jeta, hallet dhe vështirësitë që kishte përjetuar.

E kishte parë, nga larg, një postbllok të ngritur nga milicia serbe, në luginë, në fillim të një kthese të butë. Sikur e ndjente rrezikun, prandaj e ngadalësoi shumë makinën. Kur iu afruam postbllokut, njëri nga milicët i bëri me shenjë që të ndalonte. Shoferi ndaloi makinën, hapi xhamin dhe e përshëndeti me një zë të butë në gjuhën serbe. Milicit serb, nuk i bëri fare përshtypje përshëndetje dhe mirësjellja e shoferit boshnjak. U përkul pakëz dhe na shikoi të gjithëve sa ishim në makinë dhe pa ia kërkuar dokumentet e makinës shoferit as ne udhëtarëve, me një ton të ashpër na urdhëroi që të dilnim të gjithë jashtë.

Gjashtë ishin, gjithsej. Të veshur me uniforma teget të mbyllur, me jelek antiplumb e të armatosur gjer në dhëmbë, përnjëherë filluan që të na kërcënonin dhe të na shtynin në drejtim të një lëndine të vogël përskaj rrugës. Tutje, jo fort larg, ndonjë dhjetë hapa rrjedhtë i qetë uji nëpër shtratin e tij. Neve, na caktuan një vend përskaj ca drurëve të mbjellë dhe të renditur mirë.

Milicët (njësi speciale nga paraqitja e tyre, uniforma dhe armatimi), e nisën lojën e tyre të zanatit. Njëri ofendonte tjetri qeshte, të tjerët na shikonin vëngër.

Shoferët e dy taksive i urdhëruan që t’i hapnin bagazhet e makinave, për t’i kontrolluar. Në ato bagazhe ne kishim çantat tona me pak gjësende personale. Pastaj na u drejtuan neve, që secili të merrte çantën e vet, dhe në rend siç ishim përreth atyre drurëve, në atë copë të vogël lëndine, na thanë që t’i hapnim çantat dhe të nxirrnim gjithë ç’kishim brenda tyre. S’kishim ndonjë gjë tjetër përveç ca rrobave. Unë, përveç ca rrobave kisha edhe një fletore ku kisha shkruar çdo ditë përshtypjet e mia gjatë gjithë kohës prej kur isha nisur nga shtëpia…, si dhe disa libra. Pas këtij urdhri pasoi tjetri: “Nxirrni edhe paratë, të gjitha!”- na thanë. Urdhrave të tyre u bindeshim qetë dhe pa kundërshtuar, sepse në të kundërtën mund ta pësonim keq, kur në fytyrat e tyre dukej qartë një urrejtje e pa përmbajtur dhe e vjetër ndaj ne shqiptarëve. Secili nga ne nxorëm nga xhepat nga disa dinarë, që atyre nuk iu duk se ne, me të vërtetë, vetëm ato para kishim. Na e përsëritën për të dytën herë urdhrin, se nëse nuk u tregojmë se sa para kishim me vete secili, ata do të na kontrollojnë rreptësishtë dhe po qe se do të na i gjenin të fshehura, do të na ndëshkonin dhe do të na i merrnin të gjitha.

Ne, u thamë se nuk kishim të tjera dhe se mund të na kontrollonin.

E pamë se u vloi gjaku i keq, dhe filluan duke u mëshuar me shqelma çantave e duke i shpërndarë ato pak gjësende gjithandej.

Dalëngadalë, po mësoheshim me kërcënimet e tyre, me tonet e ashpra të milicëve serbë, me sjelljet e tyre jonjerëzore dhe me dhunën që nisën të ushtronin ndaj nesh.

Njeriu për nga natyra e tij është një krijesë shumë interesante: në rrethana të tilla keqtrajtimi sa vjen e bëhet më i vendosur duke e zvogëluar dozën e frikës dhe duke e shtuar vëmendjen dhe kujdesin për t’u ruajtur nga rreziku; me një fjalë të gjitha shqisat alarmohen dhe orientohen që në situata të tilla të reagojnë me sjelljet më të mira të mundshme për të shpëtuar e për të dalë nga rreziku që i kanoset, pa u dëmtuar.

Dy nga milicët që kontrollin gjësendet e mia, kapën në duar dy nga tri librat që kisha në çantë si dhe fletoren. Nuk dukej se ishin të interesuar të kuptonin se ç’kisha shkruar në atë fletore, por e dija që nëse do të fillonin ta shfletonin mund të lexonin, së paku datat, ku figuronin emra të ndryshëm të qyteteve kroate, si Dubrovnik, Split, Rijekë, Karlovac, Zagreb…, dhe, lehtësisht mund ta lidhnin me rrjedhën e luftimeve nëpër këto qytete dhe të më akuzonin me pa të drejtë për “pjesëmarrje”…

Lehtë mund të bije pre dhunës së milicisë serbe, për një gjë sado të vogël, sidomos në këto rrethana të pasigurta, sepse ata duket sheshit, që i kanë duart e lira të ushtrojnë dhunë mbi këdo që mund të kenë një dyshim sado të vogël dhe të parëndësishëm.

Pas kontrollit të dhunshëm që u bënë çantave tona, po ashtu dhunshëm nga kontrolluan edhe neve, duke na urdhëruar që me dy duart lart të mbështeteshim për drunjtë në atë copë lëndinë dhe me shpinën e kthyer e këmbët hapur kah ata. Paratë nuk na i gjetën asnjërit prej nesh.

Pas kësaj kontrolle që pasoi me sharje e me ngritje të zërit, na urdhëruan që të hynim në makina dhe shoferëve u thanë që t’u shkonin pas makinave të milicisë deri në stacionin e milicisë.

U nisëm, dhe pas pak u ndodhëm në oborrin e stacionit të milicisë, që ndodhej në njëfarë vendi si më të ngritur nga atje ku ishte postblloku.     

Dolëm nga makinat dhe na urdhëruan që të rreshtoheshin para shkallëve të godinës. Dy nga milicët hynë brenda, ndërsa dy të tjerë silleshin rreth nesh, me armë në duar. Pas pak nga godina doli një burrë i shkurtër, me mustaqe të zeza korb, i veshur me uniformë tjetër, jo si të milicëve. Uniforma e tij, ngjante më shumë në uniformë ushtarake. I shtrënguar me rripa dhe një revole në brez të cilën e u duk se e rregulloi duke e shtyrë me duar më në të djathtë të mesit të tij, na u drejtua me disa fjalë, të cilat, na i përktheu Nazmiu.

“Druzhe komandire!…” – i drejtoheshin milicët, atij. Ai dukej i lumtur, në dukje të parë. Ashtu siç u paraqit përpara nesh disa shkallë më lartë, nga hyrja e asaj godine të vjetër (një të këtij lloji e kam parë në Magure, një tjetër në Komoran), duke qeshur e bërë pak humor, na u duk se ai do të na lirojë së shpejti ngaqë nuk i bënim përshtypje ne, kështu siç ishim civilë të pambrojtur dhe të parrezikshëm për të.

Tej asaj godine, nga një e tatëpjetë e thatë, ndonjë tridhjetë a dyzet metra u shfaq një grua plakë, e gjitha e veshur në të zeza që po vinte në drejtim tonin, gjithnjë duke “kokorizur”. Sytë e komandirit dhe të milicëve të tjerë u drejtuan kah ajo.

Mendja ime më shkoi, se ndoshta plaka do të kishte dhimbje për ne, si të rinj që ishim, përveç Nazmiut dhe Milazimit që kishin kaluar të tridhjetat, dhe do të kërkonte nga komandiri dhe milicët që të na lironin. Por, jo, ndodhi krejt e kundërta e asaj që mendova.

Plaka na u afrua dhe na doli përpara sidomos Hysriut dhe mua, që ishim më të rinjtë e grupit, dhe për fat që ishte shtatvogël, se me duart e saja të thata që na i drejtoi kah fytyra, bënte sikur donte të na sulmonte sytë. Çirrej me sa zë kishte, korba. Na sillej rreth e rreth të gjithëve. Na godiste, por e goditura e saj ishte aq e dobët sa as që bëhej fjalë se mund të na lëndonte. Komandiri dhe milicët e lanë të lirë plakën serbe që të sillej si të donte me ne, përderisa ne as nuk guxonim të bënim lëvizjen e as reagimin më të vogël, as për t’u pruajtur.

Eee, sa e sa shembuj nënash më dolën përpara sysh edhe të atyre nënave zemërbardha, edhe të atyre nënave zemërdjegura, edhe të atyre nënave shpirt përvëluara, si nga nënat shqiptare po ashtu edhe të nënave të popujve të tjerë që kisha lexuar në romane të ndryshme.

Ç’e mundon këtë grua (nënë) plakë? Ç’shpirt mund të ketë!? Përse sillet kështu me ne, çmendurisht!?…, e të tjera pyetje më silleshin nëpër kokë për këtë grua të mjerë!…

Thatanikja e shkretë u dorëzua pas pak. Komandiri, u ngop së qeshuri dhe u kthye vrik dhe hyri brenda. Pas i shkuan edhe dy nga milicët më të rinj nga mosha.

Pastaj, nuk vonoi shumë dhe njëri prej tyre u shfaq në derë, dhe vetëm me shenja duarsh na sinjalizoi që një nga një të hynim brenda. Të parin e ftoi Nazmiun, i cili doli nga aty pas pesëmbëdhjetë e njëzet minutash. I dyti u ftua Milazimi, pastaj Halimi. Halimit, kur e futën brenda nisën t’i bërtisnin me sa zë kishin. E dëgjonim edhe ne që ishim përpara godinës në rresht. Kur doli ai, e pamë se e kishin rrahur. Shiheshin qartë të goditurat e milicëve, në fytyrën e skuqur të tij.

Ndërkohë, që njëri nga milicët na u afrua mua dhe Hysriut, derisa po qëndronim për më shumë se dy orë më këmbë përpara godinës së milicisë dhe filloi që të na prekte kokën mbrapa dhe flokët. Ne i kishim qethur flokët në Zagreb, si i thoshin atëherë, qethje ushtari duke filluar nga zeroja prej qafës poshtë. Ai nisi të flasë dhe Nazmiu përkthente.

-Ju, sigurisht, paskeni qenë ushtarë në anën e kroatëve!?… Më thoni, sa ushtarë serbë keni vrarë!?…, dhe disa pyetje të tjera, radhazi, por që mua më ndërpreu thirrja e atij milicit që rrinte te dera e godinës, meqë më kishte ardhur radha për të hyrë brenda.

   Më futën në një zyrë, ku në ballë të saj, qëndronte ulur po ai komandiri shtatshkurtër, i mbërthyer në shumë rripa, tani pa kapelë në kokë, i cili u ngrit në këmbë sakaq dhe mu afrua afër. Më pyeti se a di serbisht. I thashë, pak. Më pyeti si quhem. Këtë e kuptoja dhe i ktheva përgjigje. Në cilin je lindur. Ditën dhe muajin ia thashë, por vitin nuk mund ta kompletoja në gjuhën serbe. Më pyeti edhe diçka tjetër dhe nuk arrita as ta kuptoja, e as t’i ktheja përgjigje. E thirrën Nazmiun.

-Përse ke shkuar në Kroaci? – më pyeti.

-Për të punuar! – ia ktheva.

-Duart! – më urdhëroi që t’ia tregoja duart.

Kur mi pa duart tërë kallo, nisi t’i shtrëngoj dhëmbët dhe të më shikojë vëngër.

-A ke qenë në ushtri?

-Jo.

-A je ushtar i Rugovës, a i Tugjmanit? – më pyeti dhe mu kërcënua.

-I asnjërit. Unë kam kryer punë fizike, në ndërtimtari.

-Ti, ke hapur varre për ushtarët e vrarë serbë. Tani më thuaj sa varre i ke hapur?

Unë, nuk dija më se çfarë përgjigje t’i ktheja, sepse kisha frikë se mos po gaboja dhe pastaj do ta pësoja keq.

-Jaaashtë! – më bërtiti, dhe u mat që të më godiste. Por, nuk e bëri.

Pas meje radhën e kishte Hysriu, të cilin nuk e mbajtën gjatë.

Ende na mbanin në radhë, më këmbë përpara godinës. Pas pak përsëri doli komandiri, për të na thënë, se:

-Të gjithë do të ktheheni andej nga keni ardhur! Edhe shoferëve iu kërcënua me të njëjtat fjalë dhe vazhdoi: Po gabuat që të tentoni e të provoni që të hyni sërish në Kosovë, vaj halli për ju! A u kuptuam?

U desh që të pohonim pa dëshirën tonë.

Hipëm në makina dhe u nisëm andej nga erdhëm. Taksistët na sugjeruan që të zbrisnim në stacionin e autobusëve në Novi Pazar, e prej aty, me një linjë autobusi të niseshim për në Sjenicë. Në Sjenicë, është një linjë e rregullt për Shkup, dhe ju mund të shkoni deri në Prishtinë, nëpër Leposaviq, Mitrovicë…

Deri në stacionin e autobusëve në Novi Pazar mbrapa na vinte një makinë Zastava “101”, e milicisë.

Një burrë, (që, pastaj, doli të ishte konduktori i autobusit Novi Pazar-Sjenicë), i cili na pa që ishim të huaj, të hutuar, të çorientuar, dhe, sigurisht, që na kishte dëgjuar duke biseduar me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe për pasigurinë tonë, e që e kishte hetuar edhe përcjelljen që na bënin milicët, na u afrua afër dhe na foli në gjuhën shqipe. Na tha që t’i dëgjonin fjalët e tij, dhe t’i përfillnim ato që do të na thoshte. Kur e dëgjuam të fliste shqip, i besuam këmbë e krye.

E para, tha, shpërndajuni nëpër stacion dhe mos rrini bashkë asnjëri me tjetrin; e dyta, nxirrni biletat në shallterin e tretë, dhe bëri me dorë që të na orientonte saktësisht; e treta, autobusi niset edhe gjysmë ore, fiks në 12;30 minuta; e katërta, mos u turrni me hy të gjithë përnjëherësh, por, një nga një dhe në kohë të ndryshme, dhe në fund na e tregoi autobusin.

Fjalët e tij, pikë e për pe, i zbatuam një nga një. Atë e pamë, pas pak, ulur në një tavolinë me dy milicët që na vinin pas me makinë, duke pirë birra.

Autobusi u nis, në kohë.

Konduktori, pak para se të shkonim në Sjenicë na u afrua dhe na këshilloi përsëri. Na tha, që kur të hipnim në autobusin e linjës Sjenicë-Shkup, asnjëri nga ne të mos uleshim bashkë. Secili uluni tek e tek. Mundësisht uluni, me më të moshuar po mundët, në mënyrë që kur të hyjnë për të kontrolluar në Leposaviq, të mos kenë arsye për të ngritur dyshime.

Të gjithë e falënderuam nga zemra për mirësjelljen e tij. Nuk na tregoi as emrin, as prej nga është. Veprimi i tij, ishte shumë shpresëdhënës për të gjithë ne.

Bëmë ashtu siç na këshilloi ai.

Gjatë udhëtimit Sjenicë-Shkup, binte shi pandërprerë. Në Leposaviq, milicët serbë kishin ngritur një punkt milicie. Qielli u bë sterrë. Shi binte pandërprerë. Autobusi ndaloi, përpara milicisë. Një milic me pelerinë veshur, hyri brenda dhe pyeti udhëtarët si ndihen, a kanë ndonjë problem, dhe në fund kërkoi që të nxirrnim letërnjoftimet dhe t’i ngrinim lart. Shikoi nga pozita e shoferit të autobusit dhe nuk iu duk se mund të ketë ndonjë të dyshuar dhe duke na uruar rrugë të mbarë doli.

Si duket falë shiut, shpëtuam kësaj radhe.

Pak para se të binte terri, arritëm në Prishtinë. Aty u ndamë: Nazmiu me Enverin, u nisëm me një autobus të linjës Prishtinë-Pejë, për të shkuar deri në Komoran, ndërsa Milazimi, Halimi dhe Hysriu në atë të linjës Prishtinë-Prizren, për të zbritur në Carralevë, dhe, Afrimi dhe unë në minibusin e linjës Prishtinë-Sedllar.

Rreth orës 20:30 mbërritëm në vendlindje.

Te dyert e oborrit thirra me zë të lartë: O Baaabë!…

Nën dritën e zbehtë të hyrjes së shtëpisë përdhese, u takuam ballë për ballë me babën. U morën ngryk fort, dhe mua më tradhtuan lotët.

Ishte hera e parë, që e përqafova babën dhe e shtrëngova fort.

-Gati ma hoqe plisin! – ma tërhoqi vërejtjen dhe qeshi pak. Mustaqet e gjata, mu bë, që iu lëshuan si degë të gjera lisi shekullor.

/Shqip.com