Lajme

Shefja e USAID-it: Politikanët duhet të marrin vendime të vështira në Kosovë

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power
Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, zhvilloi një shëtitje me një grup të rinjsh në parkun Gërmia në Prishtinë.

Ajo tha se politikanët në Kosovë dhe Serbi duhet të marrin vendime të vështira për krijimin e perspektivës për të rinjtë.

“Sapo përfundova një ecje të mrekullueshme me të rinj të mrekullueshëm që sjellin histori vërtet të ndryshme, perspektiva vërtet të ndryshme, vijnë nga komunitete të ndryshme këtu në Kosovë, por ndajnë dëshirën për të parë njerëzimin e përbashkët tek të gjithë. Këta janë të rinj që përpiqen, për shembull, nëse ata jetojnë në Prishtinë vizitojnë Mitrovicën e Veriut, nëse jetojnë në Mitrovicën e Veriut ata vijnë dhe sigurohen që po ndërveprojnë me të rinjtë që kanë ëndrra dhe ambicie, që duan të bëjnë punë të mira, dhe të ndërtojnë dhe krijojnë gjëra të mrekullueshme këtu në Kosovë”, tha ajo.

Shefja e USAID-it tha se të rinjtë në Kosovë dhe Serbi nuk duhet t’i pengojë dhe ndalojë historia për të arritur potencialin e tyre.

Administratorja Power gjatë ditës do të takojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shpalljen e ankandit të parë të energjisë diellore në vend.

Gjithashtu, ajo do të vizitojë edhe Manastirin e Graçanicës për të mësuar më shumë rreth trashëgimisë dhe historisë kulturore.

/Shqip.com