Lajme

Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për ulje të tensioneve në veri të Kosovës

Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, ka bërë thirrje që të ulen tensionet në veri të Kosovës pas vendosjes së reciprocitetit me targat e veturave, njofton Shqip.com.

Lexo edhe:
Kurti: T’i heqim të dyja shtetet targat e përkohshme

Sipas tij, palët duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm që të shmangin tensionet përmes procesit të dialogut politik.

“Ju bëj thirrje të gjitha palëve të demonstrojnë udhëheqësi të përgjegjshme dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të shmangur tensionet përmes procesit të dialogut politik”, ka theksuar ai.

Ndryshe, të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të gjitha veturat që hyjnë nga Serbia t’i zëvendësojnë targat e veturave me ato të Kosovës, të cilat vlejnë 60 ditë.

Lexo edhe:
Vuçiq: Kërkojmë të hiqen trupat në veri të Kosovës dhe të bisedojmë

Lidhur me këtë, banorët e komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës si shenjë revolte kanë bllokuar rrugën që nga e hëna deri më tash.

Për të monitoruar situatën, Njësia Speciale e Kosovës është duke qëndruar që nga fillimi i vendosjes së reciprocitetit me targat në pikat kufitare.

Asnjë incident nuk është raportuar deri më tash, por që ka pasur reagime nga krerët institucionalë të dy shteteve./Shqip.com