Lajme

Shefi i stafit të Konjufcës: Nuk është koha të flitet për pagat e policëve

Ilir Kërçeli

Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, ka thënë se nuk është momenti që të flitet se policët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore dhe nuk kanë paga më të larta.

Sipas tij, kjo ka mbetur nga qeverisjet e kaluara të vendit dhe se Qeveria Kurti nuk ka faj.

“Nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk është mirë që policët e Kosovës nuk kanë paga më të larta, por as nuk është faji i kësaj qeverie e as i policëve për këto 13 muaj qeverisje për këto probleme”.

“Nuk është momenti e nuk është as koha e nuk është as mirë që këto tema e këso lajme të prodhohen në këto ditë kur dje veç u bë edhe sulmi i pestë mbi policinë e Kosovës brenda 72 orëve. Është koha për motivim, kurajo e mbështetje për  policinë tonë ashtu si e meritojnë në çdo ditë të jetës tonë në vendin tonë!”, ka shkruar  Kërçeli.

Policia e Kosovës

Theksojmë se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, si motivim për punë për policët kishte përmendur pagat dhe sigurimin shëndetësor.

Për kushte më të mira pune për policët, ai kishte përmendur Ligjin për Pagat dhe kërkesat që i kanë bërë e të cilat shpreson se do të merren parasysh nga Qeveria.

Kërkesë tjetër urgjente  është edhe sigurimi shëndetësor që do të ishte motivim shtesë për policët e Kosovës./Shqip.com