Lajme

Shefi i ri i EULEX-it merr detyrën

Shefi i ri i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, ka marrë detyrën të hënën.

Barbano tha se do të punojë me intergritet dhe profesionalizëm për të vazhduar kështu moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’.

“Ndjej një përgjegjësi të madhe gjersa marr sot detyrën si Shef i EULEX-it, një partner strategjik i Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe sigurisë. Duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për mandatin jetik të Misionit, unë do të punoj me integritet dhe profesionalizëm për të vazhduar moton e Misionit ‘Partneritet për drejtësi’, për të ndikuar pozitivisht në teren dhe për t’i avancuar synimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Barbano, bëhet e ditur përmes një komunikate.

Tutje, ai tha se EULEX-i do të vazhdojë të monitorojë nga afër rastet e përzgjedhura në nivel policor, prokurorial dhe gjyqësor, dhe në nivel korrektues, për të vlerësuar se si ato raste trajtohen nga autoritetet e Kosovës.

“Mes tjerash, monitorimi do të përqendrohet në respektimin e të drejtave të njeriut, garancitë për gjykime të drejta, si dhe trajtimin e barabartë për të gjithë, përfshirë pjesëtarët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë.”

“Ndjehem i nderuar nga besimi që Shtetet anëtare më kanë dhënë, dhe me padurim pres të vazhdoj trashëgiminë e paraardhësit tim, Lars-Gunnar Wigemark,” përfundoi Barbano.

/Shqip.com