Lajme Botë

Shefi i OBSH-së optimist që pandemia do të mposhtet në vitin 2022

OBSH

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se është optimist se pandemia e Coronavirusit do të mposhtet në vitin 2022, me kushtin që vendet të punojnë së bashku për të frenuar përhapjen e tij.

Komentet e tij vijnë pas dy vitesh nga koha kur OBSH u njoftua për herë të parë për rastet e një lloji të panjohur të pneumonisë në Kinë.

Rastet globale me Covid tani arrijnë në 287 milion, ndërsa gati 5.5 milion njerëz kanë vdekur, shkruan BBC, transmeton Shqip.com.

Në mbarë botën njerëzit po shënojnë vitin e ri, por festimet janë të heshtura, me shumë vende që duan të dekurajojnë grumbullimin e turmave.

COVID-19 mbetet pjesë e jetës së përditshme: një sëmundje që ka mbyllur kufijtë, ka ndarë familjet dhe në disa vende e ka bërë të pamendueshme daljen nga shtëpia pa mbajtur maskë.

Pavarësisht gjithë kësaj, Dr Tedros dha një notë pozitive në fjalimin e tij, duke vënë në dukje se tani ka shumë më tepër mjete për të trajtuar Covid-in.

Por ai paralajmëroi se pabarazia e vazhdueshme në shpërndarjen e vaksinave po rriste rrezikun e evoluimit të virusit.

“Nacionalizmi i ngushtë dhe grumbullimi i vaksinave nga disa vende kanë minuar barazinë dhe kanë krijuar kushtet ideale për shfaqjen e variantit Omicron, dhe sa më gjatë të vazhdojë pabarazia, aq më të larta janë rreziqet e virusit që evoluon në mënyra që ne nuk mund ta parandalojmë ose parashikojmë” tha ai.

“Nëse i japim fund pabarazisë, ne i japim fund pandemisë,” shtoi Tedros./SHQIP.com