Lajme

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së shqetësohet për draftin e statutit të Asociacionit

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, thotë se drafti i statutit të Asociacionit, i propozuar nga diplomatët euro-amerikanë dhe i pranuar nga kryeministri Albin Kurti është shqetësues për vendin. Sipas tij, përmes Asociacionit do të krijohet një nivel i tretë i pushtetit në vend, ku komuniteti serb në Kosovë, do të kenë një nivel të madh të vetëmenaxhimit.

Tahiri thotë për KosovaPress se nga drafti që kanë parë dhe që është më i përafërt me draftin origjinal ka shqetësime serioze, pasi flitet për një shtrirje territoriale të komunitetit serb në Kosovë, për vetëmenaxhim të serbëve që formën e ka të Asociacionit, por përmbajtjen komplet tjetër.

Tahiri duke kritikuar Kurtin për qasjen e tij në dialog, thotë se ai është kryeministri i parë që sjell një draft-statut për themelimin e Asociacionit.

Krahas kësaj, Tahiri thekson se mostransparenca e Kurtit për Asociacionin është e papranueshme.

Në anën tjetër, shefi i deputetëve të PDK-së, thotë se largimi nga agjenda e dialogut të njohjes de-jure, ka rrezikuar kompromise të mëtutjeshme, përkundër që mund të themelohet Asociacioni.

Diplomatët euro-amerikanë më 21 tetor në Prishtinë, kanë propozuar një draft-statut për themelimin e Asociacionit, i cili deri më tani nuk është bërë publik nga zyrtarët qeveritar. Megjithatë, një draft e ka publikuar ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët.

/Shqip.com