Lajme

Wigemark: Policët e EULEX-it nga sot filluan patrullimin në këmbë në veri të Kosovës

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Wigemark, ka thënë se policët e misionit ndërkombëtar kanë filluar të patrullojnë në këmbë në pjesën veriore të Kosovës.

Në një intervistë për mediumin KoSS, Wigemark theksoi se situata është e qetë dhe se Brukseli po punon për të gjetur zgjidhjen urgjente.

“Sot, policët e EULEX-it filluan të patrullojnë veriun në këmbë, kryesisht për të treguar praninë e tyre në vakumin e sigurisë, por ata nuk mund ta marrin rolin e Policisë së Kosovës. Situata është e qetë, por në aspektin e sigurisë është ende e brishtë. Brukseli po punon shumë për të gjetur një zgjidhje urgjente për të de-përshkallëzuar tensionin ekzistues”, ka thënë Wigemark.

Tutje, shefi i EULEX-it, ka thënë se rreth 135 policë po punojnë në turne në pjesën veriore të Kosovës.

Ai përkujtoi se EULEX-i është përgjegjës i dytë në zinxhirin e sigurisë, i cili i ofron mbështetje policisë së Kosovës, e cila për dallim nga KFOR-i është formacion civil.

“Përgjegjësja kryesore në zinxhirin e sigurisë është Policia e Kosovës. Jemi të dytët në zinxhirin që reagojmë dhe deri diku mund t’i ofrojmë mbështetje policore Policisë së Kosovës. KFOR-i, në anën tjetër, është një forcë ushtarake dhe sigurisht që ata kanë polici ushtarake, por ata nuk janë të përfshirë në zbatimin e rendit dhe ligjit në asnjë mënyrë ushtarake, sepse ky nuk është mandati i tyre, dhe mandati ynë si EULEX është pikërisht të angazhohen në punën e policisë.

Mirëpo, ka limite për ne, këtë e bëjmë në koordinim me Policinë e Kosovës, nuk mund ta marrim përsipër punën e tyre dhe ta zëvendësojmë Policinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

Ai shtoi se stafi i mbetur në stacionet policore në të katër komunat po mundohet që me turne të zgjatura ta bëjë punën e tyre sa më mirë.

/Shqip.com