Lajme

Shefi i EULEX-it: Presidentja e PE-së përkrahu liberalizimin e vizave për Kosovën

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovës, Lars-Gunnar Wigemark ka thënë se edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola është krah Kosovës për liberalizimin e vizave.

Përmes një postimi në Twitter, Wigemark tha se Metsola foli me forcë në favor të Kosovës në një diskutim që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin në Samitin e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Dhe  presidentja e Parlamentit Evropian, Metsola foli gjithashtu me forcë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën duke ju referuar një diskutimi që ajo pati me Vjosa Osmanin në Samitin e BE për Ballkanin Perëndimor në Bruksel disa muaj më pare”, shkroi Wigemark.

Nga sot Komisioni Evropian e nis diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën – SHQIP.com

Sot në Bruksel pritet që të miratohen raportet e progresit për shtetet aspiruese për të hyrë në Bashkim Evropian.

Në disa fusha raporti do jetë i ndryshëm për Kosovën, por tek liberalizimi i vizave Komisioni Evropian i mbetet besnik qëndrimit të vitit 2018.

Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston “moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, duke shtuar se ky proces “duhet të finalizohet brenda disa muajve”.

Për këtë presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën – me 13 tetor.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian pati vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo pati vënë kusht për finalizim të procesit që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Më pas më 2018, Komisioni Evropian pati konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe pati propozuar liberalizim.

Parlamenti Evropian e ka mbështetur këtë vendim, mirëpo disa vende skeptike si Franca dhe Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi.

/Shqip.com