Lajme

SHBA paralajmëroi për kërcënim, shtyhet Samiti Botëror i Iranit të Lirë në Durrës

Samiti Botëror i Iranit të Lirë në Durrës

Një ditë pasi ambasada Amerikanë në Tiranë ngriti alarmin se kishte dijeni për një kërcënim të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë, kjo ngjarje është vendosur të shtyhet.

Në njoftim theksohet se edhe qeveria shqiptare i ka rekomanduar muxhahedinëve që të anulojmë këtë ngjarje, shkruan a2cnn.

“Samiti Botëror i Iranit të Lirë i planifikuar për t’u mbajtur më 23 dhe 24 korrik në Ashraf 3, Shqipëri, shtyhet deri në një njoftim të dytë me rekomandime të qeverisë shqiptare dhe për shkak të kërcënimeve terroriste dhe komploteve të regjimit të mullahëve”, thuhet në një njoftim të Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit.

Ndryshe, ku samit ishte parashikuar të mbahej më 23 dhe 24 korrik në Durrës, kjo ngjarje është vendosur të shtyhet.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi  lidhur me një kërcënim që shënjestron Samitin Botëror të Iranit të Lirë.

Me anë të një njoftimi në faqen e saj zyrtare ambasada bën me dije se “qeveria e SHBA është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm që synon Samitin Botëror të Iranit të Lirë që do të mbahet pranë Durrësit, Shqipëri në 23-24 korrik 2022”.

Më tej në njoftim ambasada njofton qytetarët amerikanë që jetojnë në Shqipëri për veprimet që duhet të ndërmarrin për t’u ruajtur nga një sulm i mundshëm.

Qytetarëve të SHBA-së u kërkohet të shmangin këtë ngjarje, të monitorojnë mediet lokale, të jenë të vetëdijshëm për vendndodhjen e tyre dhe të ruajnë profil të ulët.

Gjithashtu ambasada vë në dispozicion numra telefoni dhe adresat e saj në mediet sociale për të gjithë ata qytetarë që do të kenë nevojë për ndihmë nëse kërcënimi vihet në zbatim./SHQIP.com