Lajme

SHBA mbështetë zgjedhjet në veri

Pak minuta pasi u publikuan rezultatet preliminare ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në reagim, Ambasada ka theksuar se zgjedhjet në katër komuna për kryetar komune dhe dy për asamble komunale u mbajtën në komunat e Kosovës Leposaviq, Mitrovicë Veriore, Zveçan dhe Zubin Potok më 23 prill 2023, në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

“Ne mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, multietnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet në reagim.

Tutje Ambasada ka thënë se njeh përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit. 

“Në mënyrë të ngjashme shprehim vlerësimin tonë për profesionalizmin e Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it në sigurimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet”.

Ambasada e SHBA-ve ka thënë se do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.

Gjithashtu, ka ritheksuar rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-ve për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

/Shqip.com