Lajme

SHBA-ja thotë se kishte shpresë që Kosova do ta lejonte referendumin, paralajmëron bisedime për zgjedhjet e Serbisë

Flamuri i Kosovës dhe ai i SHBA-së
Flamuri i Kosovës dhe ai i SHBA-së

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, përmes një deklarate ka thënë se ShBA-ja shpresonte që serbët do të lejoheshin të organizonin referendumin për ndryshimet kushtetuese në Kosovë, sipas praktikave të mëhershme të OSBE-së.

Ai ka thënë se së shpejti do të zhvillojnë bisedime me dy qeveritë, të Kosovës dhe Serbisë, për të parë se çfarë modalitete mund të gjinden për lejimin e serbëve të Kosovës të votojnë në zgjedhjet presidenciale të 3 prillit në Serbi.

“Le të jemi të qartë për pozicionin e ShBA-së mbi të drejtat e Kosovës që si një shtet sovran dhe i pavarur të përcaktojë kushtet përmes të cilave zgjedhjet e shteteve të tjera të zhvillohen në territorin e saj. Ne shpresuam që Qeveria e Kosovës do të vazhdonte praktikën e mëhershme të lejimit të OSBE-së për të mbledhur fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë, por zgjodhën që mos ta bëjnë këtë”, ka thënë mes tjerash ambasadori Carpenter.

“Ne e përgëzojmë Misionin e OSBE-së në Kosovë për gatishmërinë e tij që edhe një herë të marrë përsipër detyrën për të ndihmuar serbët që jetojnë në Kosovë për të votuar. Mezi presim të diskutojmë me partnerët tanë – si me Qeverinë e Kosovës ashtu edhe me Qeverinë e Serbisë – se çfarë aranzhime mund të bëhen për t’u siguruar që qytetarët të cilët përkatësisht banojnë në Kosovë dhe Serbi të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në zgjedhjet e vendit të tyre dhe duke vepruar kështu, të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre evropiane”. 

Michael Carpenter

Më tej, në deklaratën e Carpenter thuhet se SHBA-ja do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën dhe Serbinë që “të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë përparim drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në deklaratë.

Ndryshe, të dielën e 16 janarit në Serbi është mbajtur një referendum për disa ndryshime në sistemin gjyqësor të vendit.

Fillimisht, referendumi ishte paralajmëruar që të mbahej edhe në Kosovë, në mënyrë që serbët me dy nënshtetësi të mund të votonin.

Por, edhe pse kërkesa e shteteve të QUINT-it ishte pro mbajtjes së referendumit në Kosovë, Kuvendi miratoi një rezolutë me 76 vota pro e një abstenim, e cila ndalonte mbajtjen e një referendumi të tillë.

Kështu, serbët nga Kosova u detyruan që të udhëtojnë nëpër qytete të ndryshme të Serbisë në mënyrë që të kenë mundësinë e votës në këtë referendum.

Ndërkaq, gjatë kësaj dite, Njësitet Speciale të Kosovës ishin pozicionuar në disa komuna me shumicë serbe në rast të eskalimit të situatës, por që nuk është shënuar ndonjë incident./SHQIP.com