Lajme Botë

SHBA-ja përfshihet nga tornado me borë dhe akull

Një stuhi masive, me erëra të forta në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka shkaktuar tornado në disa pjesë të Oklahomës dhe Teksasit, përfshirë zonën Dallas-Fort Worth. Pjesa qendrore e vendit, nga Malet Rocky pritet të përballet edhe me reshje bore, raporton VOA.

Zona që shtrihet nga Montana deri në perëndim të Nebraskës dhe Kolorados pritet të goditet nga një stuhi bore, njofton Shërbimi Kombëtar i Motit. Në disa zona stuhia mund të sjellë deri 60 centimetra borë. Në rrafshinat lindore pritet të ketë shi dhe akull.

Zyrtarët kanë njoftuar se një tornado ka shkaktuar dëme në qytetin Wayne të Oklahomës. Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se shpejtësia e erës kishte arritur deri në 211 kilometra në orë.

Stuhia shkaktoi tornado, breshër dhe shira të rrëmbyer në pjesën veriore të Teksasit, sipas meteorologut Tom Bradshaw nga Shërbimi Kombëtar i Motit. Zyrtarët njoftuan për disa të plagosur dhe dëmtimin e shtëpive dhe bizneseve. Dëme janë njoftuar edhe në qytetin Decatur, rreth 113 kilometra nga Dallasi.

Specialistët e motit kanë paralajmëruar se në disa pjesë të shteteve Iowa, Minnesota dhe Dakotën e Jugut mund të formohen shtresa akulli deri 2.5 centimetra.

Deri 51 centimetra dëborë mund të bien në pjesën perëndimore të Nebraskës dhe erërat mund të shkojnë deri në 80 kilometra në orë, thanë zyrtarët. Stuhia do të vazhdojë zgjerimin të mërkurën drejt shteteve Luiziana, Misisipi, Alabama dhe në disa pjesë të Floridës.

/Shqip.com