Lajme Botë

SHBA-ja e rrëzon balonën kineze të dyshuar për spiunazh

Ushtria amerikane ka rrëzuar balonën e dyshuar të spiunazhit kinez mbi Oqeanin Atlantik, thotë një zyrtar amerikan, ndërsa ishte vet presidenti Joe Biden që e miratoi rrëzimin e kësaj balone.

Balona u pa për herë të parë në qiellin mbi Montana në fillim të kësaj jave dhe udhëtoi në mes të vendit, duke ndjekur modelet e motit përpara se të dilte nga Shtetet e Bashkuara kontinentale të shtunën.

Zyrtarët më të lartë ushtarakë kishin këshilluar që të mos rrëzohej balona ndërsa ishte mbi SHBA-në kontinentale për shkak të rrezikut që mbeturinat mund të përbënin për civilët dhe pronat.

Më herët gjatë ditës Biden u kishte thënë gazetarëve në Sirakuzë, Nju Jork, se administrata e tij “do të kujdesej” për balonën kur u pyet nëse SHBA do ta rrëzonte atë.

Të premten, Pentagoni tha se balona nuk përbënte kërcënim ushtarak apo politik.

Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se baloni ka hyrë aksidentalisht në hapësirën ajrore të SHBA-së. Por Departamenti i Shtetit ka thënë se prania e balonës mbi territorin amerikan ishte “një shkelje e qartë e sovranitetit tonë, si dhe e ligjit ndërkombëtar,dhe është e papranueshme që kjo të ketë ndodhur”, raporton CNN.

Zbulimi i balonës e shtyu Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken të shtynte vizitën e tij të shumëpritur diplomatike në Kinë, duke thënë se incidenti “krijoi kushtet që minojnë qëllimin e udhëtimit”.

/Shqip.com