SHBA dhe Evropa, mes zjarresh të fuqishme
Vapa përvëluese dhe moti i thatë këtë verë kanë shkaktuar zjarre të fuqishme në pjesë të ndryshme të botës, nga Shtetet e Bashkuar në Evropë. Me mijëra hektarë tokë është djegur e shumë banorë janë detyruar të lenë shtëpitë e tyre.
Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës ka çuar në ngjarje më të shpeshta dhe më të fuqishme të motit ekstrem. Materiali në vazhdim na njeh me situatën në disa vendeve, duke nisur me shtetin lindor amerikan të Uashingtonit, ku si pasojë e zjarreve u shkatërruan 185 objekte, shumë prej të cilave banimi.
Këto pamje filmike të regjistruara nga një banor i qytetit Medical Lake, në shtetin e Uashingtonit, tregojnë një pjesë të pasojave të zjarreve të fuqishëm që kanë prekur këtë rajon.
“Kjo është shtëpia e fqinjit tënd dhe kjo është shtëpia e mamasë”, i drejtohet zoti Smith një mikut të tij për të cilin regjistroi videon, për t’i treguar pamjet e shtëpive të bëra shkrumb e hi. Zëri i Bryan Smith Banor i Liqenit Medical
Zjarret filluan pak pas mesditës të së premtes në anën perëndimore të qytetit Medical Lake dhe më pas u zgjeruan në zona të tjera, tha zëdhënësja e Departamentit të Burimeve Natyrore të Shtetit të Uashingtonit, Isabelle Hoygaard.
Autoritetet nuk arritën të vënë nën kontroll zjarret deri në mbrëmjen e të shtunës, gjë që i detyroi të lëshojnë urdhra evakuimi për një komunitet pranë, Spokane, një qytet me rreth 230 mijë banorë.
Strukturat e djegura ishin objekte banimi dhe ndërtesa të tjera.
Në Kanada, mijëra banorë të British Columbia janë urdhëruar të evakuohen të shtunën pasi zjarret detyruan këtë zonë perëndimore kanadeze të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme.
Provinca aktualisht po përballet me një të tretën e mbi 1000 zjarreve aktive në Kanada.
Zjarret po vazhdojnë të shkatërrojnë tokë dhe rrezikojnë jetë njerëzish edhe në Evropë.
Zjarret ndriçuan qiejt e ishullit spanjoll, Tenerife në orët e para të së dielës, ndërsa një zjarr i egër që shpërtheu në veri të ishullit mbeti jashtë kontrollit.
Duke qëndruar në një tarracë shtëpie të mbuluar me hi, ndërsa tymi i dendur ngrihej pas tij, Sebastian Grillo, një banor i zonës thotë se nuk kishte parë kurrë zjarre të përmasave të tilla në ishull.
“Këtë nuk e kam përjetuar ndonjëherë në jetën time. Kemi përjetuar zjarre, por jo në këtë nivel”, thotë zoti Grillo.
“U larguam vetëm me rrobat e trupit pasi policia na dha vetëm 20 minuta kohë. Na sollën këtu dhe po presim të shohim nëse tymi dhe zjarri largohen nga shtëpitë tona që të mund të kthehemi në shtëpi”, thotë banorja tjetër e Tenerifes, Maria Jose Rodriguez.
Vapa përvëluese dhe moti i thatë këtë verë kanë kontribuar në krijimin e vatrave të zjarrit edhe në Shqipëri, sikurse tregojnë këto pamje në afërsi të fshatit turistik Qeparo të regjistruara mbrëmjen e së shtunës. Si pasojë u dogjën me dhjetëra hektarë tokë dhe u rrezikuan shtëpi dhe plantacione ullinjsh. Por shkak për situatën është bërë edhe zjarrëvënia nga banorët lokalë. Të shtunën, policia shqiptare njoftoi se kishte arrestuar katër persona në 24 orët e fundit. Në korrik, Shqipëria identifikoi dhe akuzoi për zjarrëvenie 14 persona. /VOA
/Shqip.com