Lajme

Shasha: Kushtet e Kurtit për Asociacionin, improvizime dhe sensacion momental politik

Demush Shasha

Drejtori i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane, Demush Shasha, i ka quajtur improvizime dhe sensacion momental politik, gjashtë kushtet e Kurtit për Asociacionin.

Duke shkruar në Facebook, ai ka thënë se pikat e Kurtit duken jashtëzakonisht të ngjashme me ato katër kushtet e dialogut – nga CEFTA në SEFTA, nënshkrimi i marrëveshjes së paqes dhe mos-agresionit, reciprocitet bilateral në çështje të pakicave, dhe largimi i Odaloviqit nga delegacioni serb.

Sipas tij, kryeministri i prezantoi ato në kuadër të një ballafaqimi momental me opozitën dhe jo si produkt i një procesi serioz politik i cili synon t’i kthejë parimet politike në politikë shtetërore.

Ai thekson se nëse Kurti me të vërtet beson se këto janë “vijat e kuqe” të Kosovës, atëherë ai është dashur që në takime të mbajtura me liderët e opozitës t’i njoftojë ata për këtë qëndrim dhe të fillojë një dialog konfidencial me qëllim të shkëmbimit të mendimeve dhe krijimit të konsensusit të nevojshëm ndër-partiak për “vijat e kuqe”.

Kujtojmë se, në seancën e sotme në Kuvend, Kurti ka treguar gjashtë kushtet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kushti i parë sipas tij është që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet që janë në fuqi.

/Shqip.com