Lajme

Sharkohet drejtori i Inspekcionit në Podujevë, Komuna thotë se e kishte rënduar situatën me ndërtime pa leje rreth Liqenit të Batllavës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Mulliqi dhe ish-drejtori i Inspekcionit në këtë komunë, Besnik Mulliqi

Komuna e Podujevës ka lëshuar një sqarim rreth shkarkimit nga puna të Besnik Mulliqit nga pozita e drejtorit të Inspekcionit në këtë komunë.

Në njoftim thuhet se arsyeja kryesore e shkarkimit ka qenë “situara e rënduar me ndërtimet pa leje përreth Liqenit të Batllavës”.

“Njëra nga arsyet kryesore për lirimin nga detyra është mosefikasiteti i punës së drejtorisë duke lejuar të rëndohet situata me ndërtimet pa leje në zonën përreth Liqenit të Batllavës.

Mbi këtë bazë janë ndërmarrë edhe masa ndaj zyrtarëve komunal të inspeksionit për mos kryerje të detyrave zyrtare në ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe ruajtjen e mjedisit në zonën e Orllanit”, thuhet në sqarimin publik.

Liqeni i Batllavës

Komuna ka hedhur poshtë pretendimet e Mulliqit duke thënë se largimi i tij nga puna nuk ka të bëjë me rrënimet që kanë ndodhur sot në fshatin Orllan.

Mulliqi, përmes një postimi në Facebook, pretendon se shkarkimi i tij vjen pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

Ai e quan skandaloz vendimin për shkarkim ndonëse shton se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Komunës.

“Ju njoftoj që sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan më saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës, kam pranuar në emailin zyrtar vendimin për shkarkim nga ZKA. Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekve të mia të vazhdushme për t’a mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!”, ka shkruar Mulliqi./Shqip.com