Shaqiri: Qëllimi ynë i parë është të kalojmë grupin

Shorti i hedhur në Doha ka vënë përpara njëra-tjetrës Zvicrën dhe Serbinë.
Të dyja janë pjesë e Grupit G bashkë me Brazilin dhe Kamerunin.
Shortin e ka komentuar Xherdan Shaqiri, duke thënë se qëllimi kryesor i kombëtares është t’i kalojnë grupet.
“Ne i njohim shumicën e skuadrave nga Botërori 2018 dhe Kameruni është një ekip interesant me lojtarë të mirë që luajnë në liga të forta. Për mua Brazili është favorit i qartë në grup, skuadrat e tjera luajnë për vendin e dytë, qëllimi ynë i parë është të kalojmë grupin. Do të jetë e vështirë, na duhen tre paraqitje shumë, shumë të mira për të kaluar. Por falë përvojës së madhe të turneut, ne do të shkojmë në Kupën e Botës me vetëbesim dhe e dimë se çfarë do të vijë”, tha ai për faqen zyrtare të Federatës zvicerane.
Kjo do të jetë hera e dytë që Zvicra përballet me Serbinë, pasi këto dy skuadra ishin në grup edhe në vitin 2018.
Më 22 qershor 2018, në Kaliningrad të Rusisë, Zvicra kishte fituar 2:1 ndaj Serbisë.
Granit Xhaka kishte shënuar për 1:1 në minutën e 52-të, ndërsa Xherdan Shaqiri kishte shënuar supergol në minutën e 90-të për fitoren prej 2:1./Shqip.com