Ekonomi

Shala: Situata në Trust është alarmante

Ferat Shala- deputet i PDK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se situate në Trustin pensional është alarmante.

Përmes një postimi në Facebook, Shala thotë se Trusti ka humbur rreth 60 milionë euro gjatë këtij muaji.

“Situata në Trust është alarmante! Gjatë vitit 2022, të gjithë kontribuesit e vendit kanë humbur hiq më pak se 118 milion euro mjete të tyre në Trust. Trendi i rënies së aksioneve është në situatë shqetësuese edhe këtë vit. Vetëm gjatë këtij muaji që jemi tani, konkretisht nga data 1 mars deri më sot, në Trust kemi humbur rreth 60 milion euro!”, shkroi Shala.

Ai potencon se kjo gjendje ka ardhur si pasojë e mos vendosjes së bordit menaxhues të Trustit nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Përkundër kësaj situate, Qeveria ende nuk e ka vendosur bordin menaxhues. Rreth 3 miliard euro të Trustit janë në mëshirën e rrethanave dhe kohës, nën mëshirën e tregjeve globale, praktikisht nën mëshirën e askujt!”.

Madje, lidhur me këtë çështje kishte shkruar edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti thotë se rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregjet financiare kanë mbetur në mëshirën e fatit.

/Shqip.com