Sport Shqiptar

Sfida delikate për “Euro2024”, ja si pritet të rreshtohen kuqezinjtë kundër Çekisë

Kombëtarja shqiptare e futbollit ndodhet në detajet e fundit të përgatitjes së ndeshjes ditën e enjte ndaj Çekisë në “Air Albania”. Sfida është shumë delikate dhe e rëndësishme, pasi mund të afrojë edhe më shumë kuqezinjtë me “Euro 2024”.

Por trajneri Silvinjo do të ketë shumë punë për të bërë, pasi edhe stërvitja e djeshme ka qenë me numra të reduktuar. Kjo pasi nga lista fillestare mungon Ismajli, i cili është tërhequr nga ky grumbullim për shkak dëmtimi.

Mbrojtësi pësoi një tërheqje muskulore në ndeshjen e fundit me Empolin dhe pas vlerësimit të stafit të ekipit kombëtar, do të mungojë në këto takime. Ndërkaq, Mirlind Daku ka mbërritur në minutat e fundit të stërvitjes, ndërsa Myrto Uzuni ka mbërritur në grumbullim në mbrëmje.

Kjo edhe për shkak të orareve të udhëtimit. Një mungesë është edhe ajo e Klaus Gjasulës, i cili po kalon një infeksion në bajame dhe kjo është arsyeja pse nuk i është bashkuar ende në grumbullim përfaqësueses.

Mesfushori shihet si një element i rëndësishëm nga Silvinjo, pasi trajneri ka shpjeguar vazhdimisht se është një lojtar i cili i siguron prani fizike dhe në ndeshjen ndaj Çekisë, mungesa e tij do të ishte një goditje tjetër e rëndë për planet e kuqezinjve.

Ai do t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore pranë klubit gjerman dhe sot në mëngjes pritet një përgjigje nga klubi i Darmshtadit nëse Gjasula do t’u bashkohet kuqezinjve në këto ndeshje apo do t’i mungojë skuadrës.

STËRVITJA E PARË
Sa i përket seancës së parë stërvitore që u zhvillua dje pasdite, të parët që dolën në fushë ishin Jasir Asani, Berat Gjimshiti, Sokol Cikalleshi, Elseid Hysaj dhe Kristjan Asllani, që gjetën edhe disa minuta kohë për të shkëmbyer edhe ndonjë fjalë me njëritjetrin.

Të ndarë në dy grupe, ata lojtarë që kishin luajtur ditë më parë dhe duhet që të merrnin disi ngarkesë, dhe më vete ata kuqezinj që zbritën në fushë të dielën, të cilët Silvinjo iu zhvilloi një stërvitje tepër të lehtë, më shumë relaksuese, kjo për rikuperimin e muskujve.

Keidi Bare punoi i diferencuar, teksa më së shumti vrapoi rreth fushës me doktorin Stesina. Mesfushori ka një shqetësim në kofshë, por do të jetë gati për ndeshjen e ditës së enjte ndaj Çekisë.

Nëse Gjasula nuk ia del, Bare dhe Laçi do të jenë alternativat për qendrën e mesfushës. Ndërkohë, me seancën që zgjati rreth një orë në fushë, Kombëtarja zhvilloi një ndeshje kontrolli së bashku me lojtarët e Kombëtares U-19, që është e grumbulluar në Tiranë, duke u përgatitur për dy miqësoret ndaj Turqisë.

Në këtë ndeshje morën pjesë, Berisha, Strakosha, Mihaj, Veseli, Mitaj, Laçi, Asllani, Bajrami dhe Seferi.

FORMACIONI
Në Pragë luajti Etrit Berisha, ndërkohë me Poloninë në portë ishte Strakosha. Një dilemë do të jetë për Silvinjon edhe çështja e portës.

Në mbrojtje trajneri nuk ka Ismajlin, teksa krah Gjimshitit, i avantazhuar është Arlind Ajeti, mbrojtësi që aktivizohet me Klyzhin në Rumani dhe ka qenë pjesë e Shqipërisë në “Euro 2016”. Por nuk mbetet mbrapa edhe Veseli apo Mihaj, të cilët janë alternativat në qendër.

Ndërsa nga krahët, pritet të luajnë Mitaj nga e majta dhe Hysaj djathtas. Në mesfushë, braziliani do t’u besojë titullarëve fitues, me Ramadanin dhe Asllanin, ndërkohë Nedim Bajrami përpara tyre.

Në krahë janë Asani dhe në të majtë një mes Uzunit dhe Seferit. Ndërkaq në sulm pritet ta nisë Cikalleshi dhe Broja të marrë minuta në të dytën.

/Shqip.com