Sport Shqiptar

“Sezai Surroi” arena e sfidave kualifikuese

Përfaqësuesja e Kosovës, ndeshjet për FIBA Euro Basket 2025, do t’i zhvillojë në Prizren.

Kosova prej 19 korrik e deri më 05 gusht do të zhvillojë katër ndeshje në kuadër të para-kualifikimeve për FIBA Euro Basket 2025.

Kosova është në Grupin H së bashku me Zvicrën dhe Danimarkën.

Ndeshjet si vendas basketbollistët e Kosovës për herë të parë do t’i luajnë në qytetin e Prizrenit, ku më 19 korrik e presin Zvicrën, ndërsa më 5 gusht janë nikoqirë të Danimarkës.

Së fundi, Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu është pritur në takim nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, nga i cili e ka marrë mbështetjen e fuqishme për organizimin e dy ndeshjeve në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.

Përfaqësuesja A e Kosovës do të bëjë gara në fazën e raundit të tretë të parakualifikimeve për FIBA EuroBasket 2025.

Krahas ndeshjeve në shtëpi, Kosova udhëton për t’u takuar me Danimarkën me 26 qershor, kurse në Zvicrën si mysafire do të përballet me 29 qershor.

Federata e Basketbollit e Kosovës është e bindur se në ndeshjet si nikoqir në Prizren, basketbollistët tanë do të kenë përkrahjen e madhe të adhuruesve të basketbollit për t’i ndihmuar ata në këto dy sfida dhe kështu për të kaluar në raundin tjetër.

/Shqip.com