Serwer: Serbia nuk ka hequr dorë nga projekti “Bota Serbe”
Profesori nga Johns Hopkins University, Daniel Serwer, gjatë një interviste thotë mes tjerash se Serbia po synon te ketë ndikim të madh në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përmes projektit të ashtuquajtur “Bota Serbe”. Ai nuk e përjashton mundësinë që sërish të këtë tensione në pjesën veriore te vendit.
Nuk sheh progres në dialog derisa Serbia është në prag të zgjedhjeve lokale dhe parlamentare me 17 dhjetor.
Eksperti për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, ka shprehur shqetësimet e tij për mënyrën se si po rrjedh procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas Serwer, përderisa Serbia nuk ka hequr dorë nga projekti i ashtuquajtur “bota serbe”, rajoni nuk ka për të gjetur qetësi.
Ai tutje vlerëson se nëse nuk ndëshkohet Serbia, atëherë ka rrezik që situata të tensionohet sërish ne pjesën veriore të vendit.
“Përderisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, do të vazhdojë përpjekjet e saj për të krijuar ‘botën serbe’ dhe natyrisht që kjo përbën shqetësim për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Shihet qartë se evropianët nuk kanë një gjuhë të përbashkët për ta sanksionuar Serbinë pas asaj çfarë ndodhi në Banjskë. Në anën tjetër amerikanët janë duke pritur rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, dhe nuk dëshirojnë të marrin ndonjë vendim në këtë fazë që mund të nxiste më shumë nacionalizmin serb. E nëse nuk ka ndëshkim për Serbinë as pas zgjedhjeve atëherë ka rrezik që situata mund të përshkallëzoj sërish”, ka thënë profesori Daniel Serwer.
Profesori amerikan thotë se Vuçiq po tolerohet nga Perëndimi të luajë me disa karta në politikën e jashtme.
“Aleksandar Vuçiq e ka bërë të qartë disa herë se nuk është shumë i interesuar për dialog. Në anën tjetër edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka rezervat e tij, por megjithatë ka më shumë vullnet se Vuçiqi që procesi të ecë përpara. Nëse Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk bëjnë më shumë presion, atëherë jam skeptik për të ardhmen e këtij procesi. Vuçiq nuk po e përfill shumë perëndimin vetëm shikojeni raportet e tij të ngushta me Dodikun, Llukashenkon e Orbanin, kjo besoj flet shumë. Ai është shumë i zoti që vazhdon të bëjë politikë me disa karta”, u shpreh Serwer, raporton TëVë1.
Serwer, ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ai thotë se Kosova në asnjë formë nuk duhet të pranojë një nivel të tretë të pushtetit.
“Sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk do të ishte gjë e keqe nëse Serbia tregon transparencë se sa para do t’i ndajë për serbët e Kosovës, pra procesi duhet të jetë shumë transparent. Gjithashtu mënyra se si do të funksionojë Asociacioni, duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën e Kosovës. Pra në asnjë formë nuk duhet te lejohet një nivel i tretë i pushtetit në Kosovë”, ka deklaruar Serwer.
Komuniteti ndërkombëtar po kritikon Kosovën si dhe Serbinë për mungesë të zbatimit të marrëveshjeve te arritura në kuadër dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli.
/Shqip.com