Lajme

Serwer: Në planin franko-gjerman, mungon njohja nga pesë vendet e BE-së

Njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer

Analisti dhe profesori amerikan, Daniel Serwer që është njohës i mirë i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht ato që ndërlidhen me dialogun Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet e fundit rreth dokumentit franko-gjerman.

Ai ka parashikuar se të dyja palët, do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbë në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare e kulturore serbe.

Serwer përmend edhe disa paragrafë, që sipas tij, i mungon referenca për çështjen dhe se nuk krijojnë qartësi të duhur.

“I pari nga këta paragrafë nuk është i mirë. Ai dështon t’i referohet Kushtetutës së Kosovës si bazë për këto “rregullime konkrete”. Gjithashtu nuk kërkon reciprocitet brenda Serbisë për komunitetin shqiptar atje. Cilat kushte do të rregullonin “mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia”? As nuk është e qartë se çfarë do të thotë “kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit” me Qeverinë e Kosovës.

Tashmë ekziston një Këshill i Komuniteteve që ofron një komunikim të tillë me Presidentin e Kosovës, si dhe përfaqësimin e serbëve dhe komuniteteve tjera në parlament dhe në ministritë e qeverisë. Sa i përket Kishës, tekstit i mungon referenca për çështjen e kahershme të pronës së manastirit të Deçanit. Ai duhet të referojë zbatimin e vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka shkruar Serwer.

Ndërsa, duke u ndalur tek pjesa e asaj se çfarë mungon në këtë plan, Serwer përmend më të rëndësishmen, njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e shtetit.

“Më e rëndësishmja është ajo që mungon. Nuk ka asnjë referencë të dukshme për njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin atë. Dështimi për të marrë njohjen nga pesë mosnjohësit është një prishje e marrëveshjes. Ndoshta nuk do të duhej të ishte në këtë tekst, por do të duhej të ndodhte në mënyrë që Kosova të bindet se normalizimi ishte real.

Edhe me këto pesë njohje, kjo marrëveshje nuk do t’i afrohej Traktatit Bazë Gjerman/Gjerman, sipas të cilit supozohet se është modeluar. Kjo bëri që Republika Federale dhe Republika Demokratike të bëhen anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Këtu nuk ka një mundësi të tillë, pasi Rusia do të kërkonte një çmim të papranueshëm”, thekson Serwer.

Njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, ka shtuar se faktorët e huaj, duhet ta shtojnë presionin mbi Prishtinën dhe Beogradin për një marrëveshje finale.

“Ata gjithashtu do të duhet të angazhohen për t’i bërë presion Beogradit dhe Prishtinës për të bërë kompromiset e nevojshme. Presioni mbi Kosovën ka qenë prej kohësh i dukshëm. Është relativisht e lehtë të bësh presion ndaj një vendi që nuk ka alternativë tjetër veçse të bashkohet me NATO-n dhe BE-në. Presioni ndaj Serbisë është shumë më i vogël”, thotë Serwer.

Tutje, ai ka komentuar edhe konferencën e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se dje ai tregoi për pasojat për Serbinë, nëse refuzohet plani franko-gjerman.

“Kam ndjekur shumë nga këto konferenca. Kjo ishte më realiste deri tani. Vuçiq foli për nevojën që Serbia të ndalojë të “gënjesh veten” dhe të “hapë sytë” dhe të kuptojë pasojat e refuzimit të propozimit franko-gjerman. Ai vuri në dukje se Serbia nuk mund ta ndalë anëtarësimin e Kosovës në NATO, KE, etj. Ai nënvizoi se nëse Serbia refuzon propozimin francezo-gjerman: (1) procesi i anëtarësimit në BE do të ndalet, duke përfshirë ndalimin e vizave, (2) tërheqjen e investimeve të BE-së, 3) sanksionet e përgjithshme ekonomike”, thekson Serwer.

Për të, konferenca e Aleksandar Vuçiq është hapi i parë i qartë në përgatitjen e terrenit për marrëveshje me Kosovën.

Për fund, ai ka përmendur faktin se negociatori i BE-së, Miroslav Lajçak është takuar me përfaqësuesit e pesë vendeve mosnjohëse këtë javë në Bruksel dhe se kjo është mirë, por do të duhet më shumë.

“Secili do të duhet të bindet se ka ardhur koha për të hequr dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj perspektivës evropiane të Kosovës. Washingtoni dhe kryeqytetet e BE-së, jo vetëm Lajçak, do të duhet të angazhohen më shumë”, ka përfunduar shkrimin e tij Daniel Serwer.

/Shqip.com