Lajme

Serbia ua refuzon katër ministrave kosovarë kërkesën për vizitë në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Autoritetet serbe ua kanë refuzuar kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, katër ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Liburn Aliu, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku kishin planifikuar që të shtunën të fillonin vizitën dy ditore në këto komuna në Serbi, të cilat janë të banuara me shqiptarë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Mjedisit, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili thotë se kërkesa është refuzuar pa arsye, dhe pak para nisjes së delegacionit kosovar për në Serbi.

“Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës”.

“Refuzimi na është bërë sot në orën 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin”, shkruan Aliu në Facebook.

Siç bën të ditur ai, agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike.

“Refuzimi i kërkesës është pengim i hapur për të ndihmuar qytetarët e diskriminuar shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./SHQIP.com