“Serbia po dëshmon se nuk është e gatshme t’i dënojë përgjegjësit e krimeve masive në Kosovë”
“Serbia duke mos i ndjekur penalisht krimet e luftës po dëshmon se nuk është gati t’i dënojë përgjegjësit për krimet e kryera në Kosovë”.
Kështu ka deklaruar aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, sipas së cilës të dyja shtetet duhet të kenë edhe një marrëveshje politike për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur.
Ka thënë se “Serbia duhet ta kuptojë edhe faktin se anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare është në të mirë të serbëve të Kosovës”.
Kandiq është shprehur se Serbia nuk është e gatshme t’i pranojë faktet që e akuzojnë lidhur me krimet e kryera në Kosovë, çka sipas saj, paraqet vështirësi edhe për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së personave të pagjetur.
“Serbia deri në viti 2011, do të thosha, ka ndjekur një rrugë të mirë në ndjekjen penale të krimeve të luftës, një nga gjykimet më të mira ishte menjëherë pas shkarkimit të Millosheviqit, ky është gjykimi për krime kundër fëmijëve dhe grave në Podujevë, krime të kryera nga njësia policore e Akrepave, por Serbia sot është shumë nga ajo Serbia e pas tetorit”.
“Sot, Serbia rrallë ngre aktakuza, nuk ka aktakuza të reja për krime në Kosovë, dhe nëse e vlerësojmë atë si një retorike politike për atë se çka ndodhur në të kaluarën, do të thosha se Serbia nuk është gati t’i pranojë faktet që rëndë e akuzojnë Serbinë për krimet në Kosovë, dhe kjo më duket se është një problem, por pa këtë, pa këtë lidhje me përgjegjësinë penale, është e vështirë të zgjidhet çështja e të zhdukurve”, ka pohuar ajo për KosovaPress.
Sipas saj, po të ketë ndjekje penale në të ardhmen në Serbi, shteti do të fokusohet në zhdukjen e serbëve dhe asnjëherë të shqiptarëve për kohën kur kontrollin në Kosovë e kishte policia serbe.
“Përveç kësaj, do të ishte e rëndësishme që zhdukja të definohet edhe në legjislacionet penale në mënyrë ndryshe, të jetë vepër penale, gjë që nuk është në radhë të parë në Serbi, por kam frikë se si ndjekjet në Serbi po zhvillohen që në të ardhmen do të përqendrohen në zhdukjen e serbëve dhe kurrsesi në zhdukjen e shqiptarëve në kohën kur kontrollin e plotë në Kosovë, në zona të caktuara e kishte ushtria e Jugosllavisë dhe pjesëtarët e policisë serbe”, ka shtuar ajo.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd ka përmendur faktin që Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë nuk udhëhiqet nga një person i diskutueshëm, ndërsa thekson se ai në Serbi, Vejlko Odalloviq, po sfidohet me të drejtë nga institucionet e Kosovës dhe njerëzit në tjerë.
Ajo ka theksuar se Kosova duhet të vazhdojë të bëjë presion duke kritikuar Serbinë për mbajtjen e Odalloviqit në krye të Komisionit për të pagjeturit.
Kandiq ka vlerësuar se për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur duhet të ketë një marrëveshje politike dhe sipas saj, ata që kanë informacione për ngjarjet e ndodhura duhet t’i dorëzojnë ato.
Aktivistja për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq ndër vite është vlerësuar për angazhimin e saj, madje në vitin 2018 u propozua për çmimin Nobel për Paqe./SHQIP.com