Lajme Ballkan

Serbia në shënjestër të grupit të hakerëve Anonymous

Disa përdorues të rrjetit social Twitter, të cilët pretendojnë të jenë pjesë e grupit ndërkombëtar të hakerëve, Anonymous, morën përgjegjësinë për rrëzimin e ueb-faqes zyrtare të Ushtrisë së Serbisë, disa ditë pasi e paralajmëruan presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, se e kishin vënë atë në shënjestër.

Ueb-faqja e Ushtrisë serbe ishte jashtë funksionit në mëngjesin e 5 janarit. Përdoruesve iu shfaq një mesazh, i cili i njoftonte ata për një problem, për shkak se serveri, në të cilin ndodhej ueb-faqja, nuk po komunikonte.

Disa orë më herët, një llogari në Twitter, nën emrin Anonymous, informoi për rënien e ueb-faqes së ushtrisë serbe, me një paralajmërim për presidentin e Serbisë, që të mos e nënvlerësonte grupin. Më vonë, gjatë ditës, qasja në ueb-faqe u normalizua për përdoruesit nga Serbia, raporton Radio Evropa e Lirë.

Një javë më parë, ata kanë publikuar një video të tyren ku është një mesazh për presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Videoja konkretisht fliste edhe për situatën e fundit në Kosovë dhe tensionet në veri të saj.

Krahas kësaj, përmendej edhe kërkesa e Serbisë, për kthimin e trupave serbe në Kosovës si mekanizmin për cenimin e integritetit territorial të Kosovës.

Tutje, në video thuhet se populli i Kosovës nuk është pa mbështetje.

/Shqip.com