Serbët vendosin barrikadë në pikën kufitare në Bërnjak

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë bllokuar me kamionë rrugën magjistrale në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak.
Shqip.com ju sjell pamje nga vendi i ngjarjes.

Theksojmë se Policia e Kosovës ka njoftuar se ka mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, për shkak të bllokadave të vendosura.
Protesta e serbëve lokalë vjen një ditë para se të hyjnë në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me një dokument të hyrje-daljes, që do të jetë i vlefshëm për 90 ditë.
Me një dokument të tillë, qytetarët e Kosovës pajisen qe 11 vjet, sa herë që hyjnë në territorin e Serbisë.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se nuk ka vend për tension, pasi sipas tij, po bëhet diçka legjitime dhe legale.
“Unë jam kryeministër i progresit dhe shpresës, e di që fqinji ynë në skenën politike atje, ka shumë politikanë deri të kreu shtetëror që janë udhëheqës të frikës dhe frikësimit. Unë besoj që paqja, demokracia, sundimi i ligjit, republika, kushtetutshmëria nuk kanë alternative dhe andaj besoj dhe punojë që gjithçka nesër të shkojë mirë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se situata me Republikën e Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë më e ndërlikuar sesa që është sot.
Vuçiq këto komente i dha sot gjatë një konference, pasi është takuar dje me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë./Shqip.com