Lajme

Serbët nga veriu i Mitrovicës nisen me autobusë për të votuar në Serbi

Në mëngjesin e 3 prillit, serbët e Mitrovicës së veriut janë nisur drejt Serbisë për të votuar.

Transporti është në mënyrë të organizuar me autobusë e nga disa komuna ata do të udhëtojnë edhe me vetura personale.

Të shtunën u raportua se në Shillovë të Gjilanit grupe serbësh pritën në radhë për t’u furnizuar me naftë për të shkuar dhe votuar në Serbi.

Po ashtu, u tha se karburante falas u dhanë në një pikë të derivateve, ku u theksua se për këtë janë përdorur paratë nga fondi për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.

Në Serbi sot mbahen zgjedhjet presidenciale, ato të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale.

Rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.

Në këto zgjedhje, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë.

Në garë janë koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi.

Serbia kishte kërkuar që të hapen qendra votimi edhe në Kosovë. Mirëpo, Qveria e Kosovës nuk e lejoi këtë pa ardhur direkt një kërkesë nga institucionet qendrore në Serbi te ato qendrore në Kosovë.

Ndaj këtij vendimi kishin reaguar edhe vendet e QUINT-it.

Si rrjedhojë e kësaj, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve vendosi që komunat si Bujanoc, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin – të caktohen si qendra të votimit për votuesit nga Kosova./Shqip.com