Lajme

Serbët në Gjykatën Themelore në Mitrovicë pritet që sot t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre

Gjykata Themelore në Mitrovicë
Gjykata Themelore në Mitrovicë

Gjyqtarët dhe stafi administrativ serb i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pritet që sot t’i dorëzojnë dorëheqjet e tyre.

Siç raporton Betimi për Drejtësi, kjo është konfirmuar nga zyrtari i për informim i gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nusret Hoxha.

Ndërsa, Hoxha ka thënë se gjyqtarët dhe stafi administrative nga komuniteti shqiptar janë duke e vazhduar punën e tyre.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)ka paralajmëruar se do të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj ka thënë se kjo mbledhje do të mbahet për të diskutuar lidhur me ngjarjet e fundit në Kosovë.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se dhjetë deputetë nga Lista Serbe kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre dhe ato janë të parevokueshme.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.

/Shqip.com