Ekonomi

Senatorja e SHBA-së: Investitorët në Kosovë të sigurohen për sistem të fuqishëm ligjor

Senatorja Republikane e SHBA-së, Joni Ernst gjatë vizitës në Kosovë

Senatorja Republikane në Ioëa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joni Ernst, gjatë vizitës së saj në Kosovë, është takuar me përfaqësuesit e bizneseve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, takim ky në të cilin tha se ka shumë njerëz të cilët do të kishin vullnet për të investuar dhe për t’u angazhuar në Kosovë, por investitorët kanë nevojë të sigurohen për një sistem të fuqishëm ligjor, të mbështetur nga respektimi i demonstruar për sundimin e ligjit, transmeton Shqip.com.

E shoqëruar nga Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, Ernst tha se ndihet e lumtur të kthehet sërish në Kosovë për të diskutuar me zyrtarët e Kosovës për mënyrat se si shteti i Iowas mund të zgjerojë rolin e saj në Kosovë përmes partneritetit afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Iowas.

Ernst tha se shpreson që partneriteti do të mund të lëvizte përtej bashkëpunimit tashmë të fuqishëm ushtarak, duke u zgjeruar në edukim, zhvillim biznesi dhe në bujqësi.

“Ekzistojnë mënyra konkrete për avancimin e zhvillimit ekonomik dhe përkrahjen e bizneseve në Kosovë. Është me rëndësi të synohen fushat me mundësi më të mëdha për bashkëpunimin e zgjeruar ndërmjet Ioëas dhe Kosovës, siç është bujqësia”, tha Senatorja Ernst, raporton KK.

Duke folur për zhvillimin e fuqisë punëtore, ajo theksoi rëndësinë e programeve të kualifikimeve profesionale për nxënësit, si një alternativë ndaj titujve universitarë, duke përmendur suksesin e programeve të tilla në Iowa.

Ernst theksoi se si këto programe përgatisin të rinjtë për tregun e punës, duke krijuar ndërlidhje më të mirë ndërmjet zhvillimit të shkathtësive me nevojat e punëdhënësve. /Shqip.com