Lajme Ballkan

Senatori amerikan: Serbia s’ka të ardhme me Rusinë

Senatori amerikan, Chris Murphy
Senatori amerikan, Chris Murphy

Senatori amerikan, Chris Murphy, ka thënë se shpreson që Serbia të miratojë sanksionet perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë, duke i thënë vendit ballkanik se “nuk ka të ardhme” në një aleancë me Moskën.

“Pushtimi i Rusisë ka qenë një fatkeqësi absolute dhe besimi im është se Rusia përfundimisht do ta humbasë këtë konflikt”, tha senatori Murphy meqë Serbia është i vetmi vend në Europë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë.

“E ardhmja e Serbisë është me Bashkimin Europian dhe me Shtetet e Bashkuara jo me Rusinë. Nuk ka të ardhme me Rusinë. Ata (Rusia) do të shkatërrohen”.

Megjithëse Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE dhe e ka dënuar pushtimin rus në Ukrainë në Kombet e Bashkuara, Beogradi ka ruajtur marrëdhëniet e tij historikisht miqësore me Moskën, shkruan AP.

Vizita e Murphy në Beograd ndodhi derisa shefi pro-rus i inteligjencës i Serbisë, Aleksandar Vulin, udhëtoi për në Moskë për një konferencë sigurie.

Serbia është gjithashtu një nga vendet e pakta me lidhje direkte ajrore me qytetet ruse dhe është pothuajse plotësisht e varur nga Rusia për furnizimet me energji.

I pyetur për vizitën e Vulin në Rusi, Murphy u përgjigj se “natyrisht Rusia po kërkon miq këto ditë”, por se nuk është “konstruktive” për asnjë komb të qëndrojë pranë Presidentit rus Vladimir Putin.

/Shqip.com