Lajme

Selmanaj për Ligjin për Zyrtarët Publik: Keni vendosur kritere të vendeve komuniste

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj tha se në bazë të këtij ligji, për të konkuruar në administratë publike janë vendosur kritere që gjinden vetëm në vendet komuniste.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Selmanaj tha se edhe nëse dikush do i plotësonte kriteret sa i përket profesionit, ato mund të rrënohen në bazë të dy kritereve që sipas tij janë të paarsyeshme.

“Keni vendosur kritere që vetëm në sistemet komuniste i kemi parë. Qëndrueshmëria dhe përshtatshmëria e një kandidati për të marrë funksionin në administratën publike në Kosovë. Edhe nëse dikush do t’i plotësonte të gjitha kriteret e konkursit, përgatitjen shkollore, profesionale, stazhin e punës në fund mbikëqyrësi ka të drejtë që në bazë të qëndrueshmërisë dhe përshtatshmërisë t’i rrënojë të gjitha kriteret tjera të konkursit. Nëse këto arrini t’i gjeni vetëm në një vend demokratik, do ta pranonim edhe ne”, tha Selmanaj.

Selmanaj tha se Qeveria e Kosovës po mundohet ta shkatërroj një sistem që është ndërtuar për 20 vite.

“Si LDK, shprehim shqetësimin tonë për qasjen e kësaj Qeverie për 80 mijë njerëz në administratën shtetërore. Kjo është shembulli i Eclafant, se si një qeveri provon të shkatërroj një sistem që është ndërtuar për 20 vite në Kosovë. E kemi thënë se në Kosovë nuk ka qenë sistemi i keq por njerëzit e kanë prishë atë sistem. Këtë sistem që e kemi pas nuk e kemi sjellë ne vet por na e kanë sjellë miqtë tanë ndërkombëtar. Atë sistem ju po mundoheni ta shkatërron”.

Sipas Selmanajt, ky ligj i ofron mundësi nepotizmit, korrupsionit dhe politizimit të skajshëm të administratës shtetërore.

“Me këtë ligj bëhet diferencimi i administratës shtetërore dhe për herë të parë ndodh që ministri sponzorizues, dikasterin e vetë e diferencon nga ky ligj. Ministri i MAPL-së nuk i rregullon me këtë ligj departamentet e dikasterit të vetë por dikasteret tjera. Disa agjenci të cilat e kanë statusin e shërbyesit civil, me këtë ligj përjashtohen ato. Afati 4-vjeçar i secilës pozitë udhëheqëse në Kosovë e nivelit të mesëm dhe të lartë është mundësi për korrupsion, është mundësi për nepotizëm, është mundësi për politizimtë skajshëm të administratës së shtetit. Askush nuk do të jetë më i sigurt që mbas 4 viteve do të jetë pjese e administratës së shtetit”.

Mes kritikash nga opozita, Komisioni për Administratë Publike kishte miratuar në parim Projektligjin për zyrtarët publik.

Në seancën e fundit lidhur me këtë çështje, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim ishte miratuar në lexim të parë projektligji për pagat në sektorin publik.

Pozitë e opozitë kanë qenë pro projektligjit, megjithatë, partitë opozitare kanë kërkuar që të bëhen ndryshime në mes dy leximeve. Të njëjtit kanë pasur kritika për rangimet dhe përcaktimet e koeficienteve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, kishte thënë se me këto dy projektligje synojnë rregullimin e Administratës Shtetërore.

Më tutje Dobra ka thënë se vlera e koeficientit do të caktohet në bazë të buxhetit të vitit 2023.

/Shqip.com