Lajme

Selman Hoti reagon lidhur me dokumentarin e Shqip.com “Shkelësi ‘elektrik’ i ligjit”: Ato që thuhen, nuk qëndrojnë

Anëtari i Bordit të ZRRE-së dhe pronari i kompanisë 'Electra Sh.P.K' - Selman Hoti

Selman Hoti, anëtar i BORD-it të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe aksionar i kompanisë “Electra”, ka reaguar ndaj Gazetës Online Shqip.com për transmetimin e hulumtimit “Selman Hoti, shkelësi ‘elektrik’ i ligjit” në kuadër të emisionit “n’Shënjestër”.

Ai deklaron se ato që thuhen në dokumentar për të nuk janë të vërteta. Hoti ka dërguar edhe një reagim me disa pika në drejtim të redaksisë.

Vërejtjet e Hotit do të publikohen të plota dhe poshtë tyre gjithashtu do të vendosen sqarimet e Shqip.com për vërejtjet e Hotit. Ai e ka ndërtuar reagimin në atë mënyrë që fillimisht vendos një citim nga dokumentari e më pas e komenton atë.

Pjesa e tekstit të Hotit është pa ndërhyrje (prandaj mund të ketë edhe gabime drejtshkrimore)

Shqip.com: Electra kontraktohet nga KEDS qysh nga viti 2018

Selman Hoti:  Është konstatim i pavërtetë : kompania Electra është kontraktuar në vazhdimësi sipas rasteve dhe  projekteve pas Privatizimit të Distribucionit nga KEDS edhe para vitit 2018, kjo deklaratë është tendencë e qëllimshme për të tentuar të ndërlidhet koha e zgjedhjes time në BORD-in e ZRRE-së, me fillimin e kryerjes së projekteve në KEDS nga ana e kompanisë Electra.

Sqarimi nga SHQIP.com: Përkundër që redaksia e Shqip.com iu ka kontaktuar për t’i dhënë sqarimet në lidhje me punët që i kryeni me kompaninë tuaj Electra SH.P.K për KEDS-in, nuk keni pranuar të deklaroheni. E vërteta është se edhe ju e pranoni se me kompaninë tuaj, Electra SH.P.K, që i keni deklaruar aksionet edhe në formularin e Anti Korrupsionit, jeni kontraktuar nga KEDS dhe vazhdoni të kryeni punë për ta, përkundër që si anëtar i bordit të ZRRE-së mbikëqyrni punën e KEDS-it. Hulumtimi nuk merret me punët që Electra i ka kryer për KEDS-in para se ju të jeni anëtar bordi, por pasi jeni votuar nga Kuvendi, sepse këtu ligji e qartëson se ju jeni në konflikt interesi, gjithmonë bazuar në ligjet e Republikës së Kosovës, që i kemi prezantuar edhe në hulumtimin e Shqip.com.

Shqip.com: Punimet e KEDS-it që nënkontraktohen siç është Electra kontrollohen nga ZRRE , Anëtarët e BORD-it të ZRRE-së, japin OK për kualitetin e punimeve.

S.H. është deklaratë e pavërtetë : Anëtarët e BORD-it të ZRRE-së që janë trup kolegjial i vendimmarrjes si BORD i ZRRE-së i përberë prej pesë (5) antarëve , në kompetencën e tyre marrin vendime rregullative dhe ligjore sipas përshkrimit te detyrave te punës bazuar Neni 9., Nenin 25 dhe 26 në Ligjin NR.05/L-084 “Ligji për Rregullatorin e Energjisë” pra , BORD-I I ZRRE-së nuk e ka për detyrë sipas Ligjit menagjimin e projekteve te KEDS-it , KEDS-i e ka BORD-in e tyre , Menaxhmentin, Prokurimin dhe stafin profesional që i realizon mbikëqyrë dhe bënë pranimin teknik të realizimit të projekteve nga ana e operatorëve ekonomik të cilën veprojnë sipas legjislacionit në fuqi.

Sqarimi nga Shqip.com: Askund nuk thuhet se ju i mbikëqyrni punët e kompanive private që kontraktohen nga KEDS, sepse siç e thoni edhe ju, legjislacioni nuk ua përcakton këtë detyrë. Por, ju mbikëqyrni projektet që investohen nga KEDS, sepse çdo investim i KEDS-it, është në planin vjetor të punës, që ia miraton ZRRE-ja dhe në fund sërish ZRRE-ja jep akordimin për përmbushjen e obligimeve që ia përcakton. Madje ZRRE-ja ia përcakton KEDS-it edhe vlerën e investimeve, shpenzimet administrative, investimet kapitale, vlerën për shpenzime në paga, ia përcakton edhe zvogëlimin e humbjes në rrjet përgjatë një viti.

Shqip.com: Hoti konstaton se kompania e tij i kryen punët mirë dhe kompanisë i jepet punë prapë.

S.H. është konstatim i gabuar, qëllimkeq dhe tendencioz , unë si edhe anëtarët e tjerë të BORD-it të ZRRE-së, nuk kemi detyra të tilla dhe as nuk kemi të drejtë sipas Ligjit të konstatojmë se cila kompani e nënkontraktuar nga ana e KEDS-it I realizon punët mirë apo keq, e aq më pak kemi të drejtë të merremi me dhënien e punëve “X” kompanive që I plotësojnë kushtet për nënkontraktimin e realizimit të projekteve nga KEDS-i.

Sqarim nga Shqip.com: Do të ishte absurde të mendohet se bordi i ZRRE-së mbikëqyr punën e një kontraktori privat që punon për KEDS-in. Punët që kompania juaj, Electra SH.P.K kryen për KEDS-in, kjo e fundit i paraqet në planin vjetor të punës para bordit të ZRRE-së. Dhe ato punime që i kryen Electra SH.P.K, KEDS i prezanton para bordit si investime, e që edhe ju jeni pjesë e këtij bordi.  

Shqip.com: për 3 vjet Hoti nuk është detektuar për konfliktin e thellë të interesit për pozitën që mbanë.

S.H.  është konstatim i gabuar dhe tendencioz me qëllimin e vetëm për të dezinformuar opinion publik dhe për ta dëmtuar imazhin tim profesional dhe etik. Unë ,me rastin e zgjedhjes time si anëtarë i BORD-it të ZRRE-së nga Kuvendi I Republikës së Kosovës , që në ditët e para të punës e kam  konsultuar  dhe në harmoni edhe me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit i kam marrë të gjitha veprimet ligjore sipas këtij Ligji ,duke e informuar zyrarisht edhe me shkrim Agjensionin Kundër Korrupsion  për rrethanat ligjore sa i përket konfliktit te interesit me  datë 26.03.2018, shkresa e protokolluar nga ZRRE në AKK Nr.03-02/938/18) . nga AKK nuk kam pranuar ndonjë përgjigje apo sqarim lidhur me ketë qështje.

Me datë 15.05.2020 ,duke u bazuar në dyshimet e ngritura nga mediumi kallxo.com për mundësin e konfliktit te interesit ,AKK me ka njoftuar me shkrim se ka filluar hetim për shqyrtimin e gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit. Pas kësaj unë jam ftuar disa herë nga zyrtarët kompetent të Agjensionit gjegjësisht Departamentit për parandalimin e konfliktit te Interesit, në këto seanca unë kam dhënë të gjitha sqarimet dhe dokumentacionin e kërkuar nga ana e tyre.

Që nga ajo kohë deri më sot , unë nuk kam pranuar kurrfarë përgjigje, njoftim apo vendim lidhur me këtë çështje përkundër insistimit tim qe të kem diçka të tillë me shkrim.

Rasti i fundit kur unë prap interesohem lidhur me këtë çështje është telefonatat me zyrtaret e AKK-së, dhe pastaj të njëjtën ditë me datë 23.07.2021, duke ju drejtuar edhe me shkresë Z. Havolli – Drejtor I Agjencisë Kundër Korrupsion ,me c ‘rast kam kërkuar takim për sqarimet e mundshme lidhur me trajtimin e lëndës për rastin e hapur nga AKK me datë 15.05.2020. Ende nuk kam përgjigje kthyese nga ana e Agjensionit Kundër Korrupsion.

Andaj, bazuar ne sqarimet e dhëna dhe veprimet e ndërmarra sipas ligjeve për këtë çështje, unë nuk kam pranuar ndonjë vendim zyrtar se jam në konflikt të interesit , pretendimet dhe konstatimet e tilla nga portali shqip.com kanë për qëllim dëmtimin e integritetit tim njerëzor e profesional, si dhe dëmtimin e imazhit të institucionit te ZRRE-së ku unë punojë në përmbushjen e mandatit ligjor si anëtarë I BORD-it të ZRRE-së, i zgjedhur nga Kuvendi I Republikës se Kosovës.

Nga ky episodë i shfaqur nga portali shqip.com ka edhe shumë konstatime jo të drejta dhe të gabuara e tendencioze duke shpërfaqur çështje si procesi i zgjedhjes time si anëtarë i BORD-it të ZRRE-së ( i zgjedhur nga deputetët me 75 vota ), pastaj duke aluduar në anime të caktuara politike ( unë nuk jam anëtarë i asnjë partie politike) , largimi im nga kompania KEDS në vitin 2016 që është e pavërtetë  (unë jam larguar nga KEDS-i në Tetor të vitit 2014 për shkak se unë kisha bërë një Kallëzim Penal në atë kohë kundër KEDS-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës për çështjen e njehsorëve elektrik , me c ‘rast është zhvilluar gjykimi dhe janë dënuar disa zyrtarë) ,pastaj deklarimi nga portali shqip.com me qellime shpifëse duke hiperbolizuar kinse milionat e përfituar që nuk është aspak e vërtetë , pasuria ime e fituar është e deklaruar në formularin e deklarimit ne AKK çdo vit sipas obligimit ligjor në mënyrë transparente .

Për dijeninë tuaj, dhe të opinionit publik , asnjëherë në jetën time nuk kam bërë shkelje të Ligjit siç pretendoni në titullin e episodit tuaj si “shkelësi elektrik i Ligjit”, asnjëherë nuk jam përballë me ndonjë kallëzim penal, aktakuzë e as paraqitje para drejtësisë për asnjë vepër penale, e as për ndonjë vepër tjetër çfarëdo qoftë ajo.

Në fund, para se ti ndërmarr hapat e tjerë ligjor për këtë episodë të shfaqur nga portali shqip.com, me konstatimet e gabuara, jo të drejta dhe tendencioze, bazuar në LIGJI_NR._02_L-65_LIGJI CIVIL KUNDËR SHPIFJES DHE FYERJES, gjegjësisht Neni 13 (e drejta për reagim), paragrafët 13.1 dhe 13.2, kërkoj nga I njëjti portal shqip.com ta botoj reagimin tim, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik lidhur me konstatimet dhe pretendimet tuaja, për çka unë përmes këtij reagimi i kundërshtoj me fakte dhe argumente pretendimet e tilla. Në rast se nuk botohet ky reagim nga ana juaj, ju njoftoj se do të detyrohem të ndërmarr veprime të drejta ligjore, për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin tim personal dhe profesional.

Sqarim nga Shqip.com: I nderuar, ju falënderojmë për sqarimin. Sikur të mos ekzistonte Ligji numër 05 L-084 për Rregullatorin e Energjisë, pozita juaj do të ishte në rregull dhe nuk do të përbënte asnjë konflikt interesi. Por,  është neni 6 i këtij ligji, saktësisht pika 3.4 ku tregohet se anëtarëve të bordit iu ndalohet “të kryejë çfarëdo pune për ndonjë ndërmarrje të energjisë që i nënshtrohet këtij Ligji, apo për ndonjë ndërmarrje vartëse, apo për ndonjë filial të një ndërmarrjeje të energjisë”. Dhe ju jeni aksionar në Electra SH.P.K dhe njëkohësisht mbani postin e anëtarit të bordit në ZRRE. Gjithashtu, neni 3 i Kodit të Sjelljes dhe Etikës i ZRRE-së, thuhet:  “asnjë anëtar i stafit nuk duhet të ketë ndonjë interes, financiar ose tjetër, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ose të ushtrojë ndonjë kontroll menaxherial mbi operimet e ndonjë ndërmarrje të energjisë të rregulluara nga ZRRE-ja, ose ndonjë pasardhës, ose ndonjë subjekt të kontrolluar drejtpërsëdrejti ose tërthorazi nga një ndërmarrje e tillë”. Andaj kompania juaj Electra SH.P.K ka interes financiar nga KEDS dhe aksionari i Electra SH.P.K është anëtar i bordit të ZRRE-së.