Lajme

Selim Pacolli nuk certifikohet nga KQZ si kandidat për kryetar të Prishtinës

Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës

Kandidati i Aleancës Kosova e Re për kryetar të Prishtinës, Selim Pacolli, nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, njofton Shqip.com.

Këtë e ka konfirmuar vetë ai, duke thënë se ka ndodhur për shkak të një aktvendimi në vitin 2019, ku kishte bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të mandatit.

“Sapo mora lajmin se KQZ nuk do ta certifikojë kandidaturën time për kryetar të Prishtinës. Kjo si pasojë e një aktvendimi të vitit 2019, unë kam bërë deklarimin e pasurisë 48 orë pas përfundimit të afatit ligjor për deklarim, (përfshirë ditët e vikendit)”, shkroi ai në Facebook.

Ndër të tjera, Pacolli bëri të ditur se kjo vonesë ishte bërë për shkaqe shëndetësore të tij, duke shtuar se do të vazhdojë të mbështesë AKR-në dhe kandidatët e listës për asamble.

Pacolli ka qenë ndër të parët prej pretendentëve që e kishte zyrtarizuar kandidaturën e tij për pozitën e të parit të Prishtinës.

Ndryshe, kandidatët që do të garojnë për kryetar të Prishtinës janë Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje. /Shqip.com