Lajme

Selakoviq: Serbia e përkushtuar në dialogun me Kosovën, e rëndësishme të dihet nëse ka kuptim të bisedohet

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq, thotë se vendi i tij ka treguar përkushtim për dialogun me Kosovën, i cili zhvillohet nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas tij, është e rëndësishme të dihet se çfarë po diskutohet dhe nëse ka kuptim të bisedohet.

Shefi i diplomacisë serbe tha se Serbia do të vazhdojë të mbrojë interesat e saj siç i quan ai “shtetërore dhe kombëtare”, veçanërisht siç thotë ai kur “është në pyetje Kosova dhe se Beogradi asnjëherë nuk e ka vënë në pikëpyetje dialogun”.

Delegacioni i Kosovës në takim me Delegacionin e Serbisë

“Nëse dikush ka treguar përkushtim ndaj dialogut, ne e kemi treguar, këtë e ka treguar presidenti Aleksandar Vuçiq që nga koha kur ishte anëtar i qeverisë, atëherë kryeministër dhe tani kur është president. Është e rëndësishme që kur uleni në tavolinë, të dini se çfarë po diskutohet dhe të dini nëse ka kuptim të bisedoni, apo të largoheni duke u fyer, poshtëruar dhe abuzuar me faktin që jeni takuar”, tha Selakoviq për RTS.

I ashpër u tregua edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshllin e Evropës.

Sipas tij, Kosova ka shkelur marrëveshje dhe për këtë, Selakoviq thotë se Serbia “nuk do të rrij duarkryq.

Theksojmë se më 12 maj, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.

Lexo edhe:
Kosova e dorëzon aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.

“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Në mungesë të Rusisë, e cila më 16 mars të këtij viti është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, në rast se vlerësohet se Kosova i plotëson kushtet./Shqip.com