Lajme

Selakoviq ankohet te zyrtari i BE-së: Kosova s’po përmbushë obligimet nga Marrëveshja e Brukselit

Ministri i Jashtëm serb dhe zyrtari i BE-së në Serbi

Ministri i Punëve të Jashtme në Serbi, Nikola Selakoviq, tha se Kosova nuk i ka përmbushur detyrimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit, përcjell Shqip.com.

Këto deklarata ai i ka bërë në takim me shefin e ri të delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Emanuele Joffre, teksa shtoi se Prishtina zyrtare nuk po mundëson krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, rapoton Tanjug.

Sipas tij, është e nevojshme që Prishtina të fillojë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur dhe se presin që BE si garantues i Marrëveshjes së Brukselit, të këmbëngulë fort në këtë.

Ndryshe, kjo Marrëveshje është nënshkruar më 19 prill të vitit 2013, nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e BE-së.

Marrëveshja kishte 15 pika, ku ndër to ishte edhe krijimi i një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. /Shqip.com